“Gjuetia” ndaj mjekëve/ 5 mijë euro paga në spitalet private, derisa në ato shtetërore vetëm 1200 euro

13:04 | 29 Janar 2023
A Z

Profesionin e kanë të njëjtë, por mjekët në spitalet shtetërore, ndryshe nga mjekët që ushtrojnë profesionin e tyre në spitale dhe klinika private kanë dallim të madh në paga.

Në fund të muajit mjekët në spitale private kanë një diferencë shumë herë më të mëdha në pagë sesa ata që punojnë në spitale shtetërore, raporton arbresh.info.

Një mjek që punon në cilindo spital apo klinikë shtetërore, pagën bazë e ka 600 euro, ku me kujdestari dhe punët shtesë, e arrijnë maksimumin deri në 1200 euro.

Por, i njëjti mjek që profesionin e njëjtë e ushtron në spitalet apo klinikat private, vetëm për punën e tij, çoftë për operim apo që punon në ndonjë lëmi tjetër, mesataren e pagës apo maksimumin e saj e arrijnë deri në 5000 euro, pa i përfshi punët shtesë apo kujdestaritë.

Shto këtu edhe komoditetin që u ofrohet në spitalet private, kushtet e punës dhe pajisjet që ua sigurojnë pronarët e ordinancave dhe klinikave private dallojnë shumë me të njëjtat që mund t’i kenë në ato shtetërore.

Ikja e mjekëve të mirë nga spitalet shtetërore po “penalizon” qytetarët, të cilët po detyrohen të marrin trajtime në spitalet private, pasi mungesa e mjekëve, po bënë që të krijohen radhë të gjata të pacientëve të cilët presin për trajtim në disa lami të caktuara në spitalet shtetërore ku ka mungesë të mjekëve.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu dhe gazetari i gazetës ‘Shneta’, Bujar Vitija, që merret ekskluzivisht me Shëndetësi, për ‘arbresh.info’ kanë folur për fenomenin gati dy vjeçar që e ka kapluar shëndetësinë kosovare, përfshirë këtu ikjen e mjekëve nga vendi, apo shkuarjen e tyre në Institucione shëndetësore private.

Sejdu e Vitija kanë numëruar disa shkaktar që po i shtynë mjekët profesionistë, të cilët kanë ekspertizë të gjatë në kryerjen e operimeve për sëmundje të ndryshme që të largohen nga spitalet shtetërore.

Pagat jo të dinjitetshme, kushtet jo të mira, ngarkesat me orarin e kujdestarive dhe punëve shtesë që u ngarkohen mjekëve që janë tashmë të specializuar dhe me përvojë të gjatë në kryerjen e operimeve, po i shtynë ata të zgjedhin spitalet private për ta ushtruar profesionin e tyre.

Sejdiu  dhe Vitija kanë treguar se “gjuetia” e spitaleve privatë ndaj mjekëve për joshjen dhe marrjen e mjekëve nga sektori shtetëror i shëndetësisë, ka ardhur me të parë përfitimet marramendëse që kanë arritur t’i arkëtojnë.

Sipas Vitijës, nga të dhënat që kanë dalur nga një raport i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), dhe Bankës Qendrore të Kosovës  (BQK), janë rreth 50 milionë euro që qytetarët e Kosovës kanë paguar në sektorin privat, vetëm për shërbime shëndetësore, pa përfshirë barnat.

Nga Oda e Mjekëve është thënë se dinjiteti i mjekut në spitalet shtetërore kthehet vetëm atëherë kur të miratohet ligji për Sigurimet Shëndetësore,  që sipas Sejdiut, me funksionalizimin e saj bëhet edhe një stabilizim i kompanive të Sigurimeve Shëndetësore Private, pasi sipas tij, atëherë do të ishte një institucion, i cili e bënë gjithë balancën, bënë diferencën, nuk është pjesë e një grupit të interesit, i cili punon për interesa të veta.

Sejdiu, ka shtuar se kompanitë e Sigurimeve Private janë të fokusuara në përfitimet e tyre dhe në momentin kur do të kishin një institucion publik, i cili qëllimin e tij e ka krijimin e kushteve për marrjen e një shërbimi të dinjitetshëm të standardizuar, por edhe dhënësin e shërbimeve me një pozitë të dinjiteteshme dhe shpagim të dinjitetit, atëherë bëhet një balancë.

E në anën tjetër gazetari Vitija kritikon institucionet shtetërore duke thënë se kanë dështuar për të ofruar dinjitet për mjekët e të gjitha lëmive.

Sipas tij, kjo mund të shihet situatën që është me anestiologët të cilët janë duke vazhduar duke punuar me pagat e njëjta, për kundër fluksit të madh që janë duke u përballu për shkak të mungesës së numrit të tyre.

“Në QKUK janë duke punuar rreth 45 anestiologë të cilët i mbulojnë 32 njësi, a çdo të katërtën ditë mbajnë kujdestari, e që numri i tyre do të duhej të ishte së paku dyfishi. Pra, është e pamundur që në rrethana të tilla që një mjek të punojë në sektorin publik, prandaj është urgjente që Qeveria e Kosovës, Ministria e Shëndetësisë dhe ShSUK-ja të bëjë një plan që të menaxhojnë më mirë resurset e këtyre mjekëve që dita e ditës mundë ta lënë Sektorin Publik.”, ka thënë Vitija.

Sejdiu, për krejt këtë situatë të krijuar me ikjen e mjekëve, fajtorë lë të gjitha qeveritë që kanë qenë deri tash në pushtet. Ai tha se secili që ka ardhur në pushtet nuk ka bërë diçka për ta parandaluar këtë situatë.

“Çdo ministër që ka ardhur ka filluar prej zeros duke thënë se, unë jam tash, unë di më së miri, e duke thënë që çdo gjë që është bërë deri tash nuk ka vlejtur. Do të thotë jemi kthyer në zero, domethënë 3 here, 4 herë, 5 herë apo 6 herë dhe ne kemi mbetur në zero pozitive. Të gjitha këto do të thotë janë reflektuar tek punëtorët shëndetësor. Çdo herë është ngritë si shqetësim nga shoqatat profesionale, nga Shoqëria Civile që përcjellin shëndetësinë, do me thënë fokusi ka qenë në dështimin e menaxhmentit të institucioneve shëndetësore, por jo edhe atij politik dhe asnjëherë nuk është marrë me këto probleme, sepse aty është çelësi. Prandaj zeroja, zeroja dhe zeroja, ka bërë që punëtorët shëndetësor nuk e kanë pa një dritë në fund të tunelit, apo nuk e kanë pa një përfundim të kësaj zeros”, ka thënë Sejdiu.

Por, si është e mundur që ekzekutivi të bëjnë balancimin e pagës së punëtorëve shëndetësorë në Spitalet e shtetit me ato private, për Sejdiun e Vitijën, pas sigurimeve shëndetësore çelësi është çështja e akreditimit dhe licencimit me standarde të barabarta të sektorit publik dhe atij privat.

Sejdiu ka drejtuar gishtin edhe për mos kontrollin që nuk bëhet në Spitalet Private, ai ka kërkuar që ato të futen në një regjim të kontrollit, sepse sipas tij janë vetëm 3 apo 4 spitale që janë me të gjitha rregullat të afarizmit financiar. Ndërsa tek të gjitha të tjerat ka informalitet dhe kjo ndikon në çrregullimin e tregut të çmimeve, çoftë në çështjen të ardhurave shtesë që mund të derdhen në arkën e shtetit.

Ndërsa sipas tyre në shumicën e shteteve perëndimore është krejt tjetër situatë, ata thonë se nuk janë shumë atraktive Spitalet Private, për shkak se diferenca është shumë e vogël edhe qetësia e punës është më e mirë në ato publike edhe avancimi është shumë më i lehtë.

‘Portali “arbresh.info” më 12 janar të këtij viti u ka dërguar pyetje 4 Spitaleve Private: ‘Spitalit Amerikan’, ‘Aloka’, ‘AmericanClinic’ dhe ‘OlivaMedical’, për të marrë përgjigje rreth asaj sesa mjekë nga shtetërori janë punësuar në spitalet e tyre private, sa janë pagat minimale dhe maksimale të mjekëve në spitalin e tyre, sa prej mjekëve që punojnë në spitalet tyre, punojnë edhe në spitale shtetërore, si dhe a paguajnë tatime shtetit?

Por, as pas një jave pritje nuk është marrë mundi nga ta që të kthejnë përgjigje.

Po ashtu, arbresh.info ka drejtuar pyetje në adresë të Agjencisë Tatimore të Kosovës (ATK) për të kuptuar nëse spitalet private paguajnë tatimet dhe si i paguajnë, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Ndryshe, rreth gati dy vjet repartet në spitalet shtetërore, po e ndjejnë mungesën e mjekëve profesionistë, pasi disa prej tyre po largohen në shtetet e ndryshme perëndimore dhe disa të tjerë drejt spitaleve private në vend./arbresh.info/Pleurat Salihu/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme