Klinikat e QKUK-së me mungesë të gjërave higjienike

17:42 | 28 Janar 2023
E.H

Kushtet higjienike në klinikat dhe repartet e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, sipas pacientëve nuk janë aspak të mira.

Nëpër Klinikat e QKUK-së mungojnë gjërat higjienike.

Si pasojë e mungesës së tyre pacientët detyrohen t’i sigurojnë vetë këto.

Ndërsa ShSKUK- nuk ka kthyer përgjigje për këtë çështje.

Ndonëse pacientët janë të kënaqur me shërbimin të cilat i marrin nga stafi shëndetësor në klinikat e QKUK-së, brengë për ta mbetet higjiena në këtë Qendër.

Pacientët u shprehen të pakënaqur me higjienën në QKUK.

“Send skish, krejt vetë duhet m’i marr prej shtëpisë, në toalet kur hyjmë s’ka as shampon të duarve as letra higjienike. Asgjë skish, asgjë send s’ka. Letrat higjienike po i marrim prej shpie, shapon hiq s’ka, po i pastrojmë qashtu pa shapon veç me ujë”, shprehet njëri nga pacientët.

Edhe në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në tualetet të cilat përdoren për pacient nuk kishte as sapun për pastrimin e duarve as letër higjienike.

Pacientët, ndonëse nuk donin te identifikoheshin, ata thane për Radio Kosovën se po i sigurojnë vetë.

Ndërsa, drejtori i kësaj Klinike, Nazmi Kolgeci, e pranon që ka ngecje të furnizimit për sa i përket mjeteve higjienike.

“Faktikisht ka ngecje momentalisht, letër higjienike në banjo nuk ka. Mjekëve kohë pas kohe ju kanë pru letra por as shërbimi për pastrimin e duarve nuk është i furnizuar mjaftueshëm”, tha Kolgeci.

Pacientja e cila ishte e shtrirë në Klinikën Infektive në kushte anonimiteti tha se është e kënaqur me shërbimin nga stafin shëndetësor, por që mungon higjiena.

“S’jam e kënaqur me kushtet higjienike, se kemi mungesë të letrave higjienike, s’ka as shampon për duar, dizenfektiues kam siguruar vetë, edhe mbulojat e shtratit të gjitha vetë i kam siguruar”, tha ai.

Radio Kosova ka pyetur Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës për gjendjen e higjienës lidhur me ankesat e pacientëve por nuk kë marrë përgjigje.

Qeverisë gjatë vitit 2022, i kanë tepruar 1.3 milion euro për barna e material bazik, ndërkohë që klinikat ballafaqohen edhe me mungesë të mjeteve esenciale për punë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme