Kurti: Nuk jam ftuar në takimin e Ambasadës për Asociacionin

16:19 | 27 Janar 2023
E.H

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk është ftuar në një takim që do ta organizojë Ambasada amerikane në Prishtinë më 31 janar, e ku do të diskutohet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kurti tha se ky takim do të zhvillohet si pasojë e insistimit të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ai tha se ka pritur nga Escobari që të thotë në Beograd se Serbia duhet ta njohë Kosovën, e jo të thotë në Prishtinë se Asociacioni do të bëhet, pavarësisht kryeministrit të Kosovës.

Duke folur për planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Kurti tha se ai nuk i është prezantuar në formën “merre ose lëre”, por si platformë për diskutim të mëtutjeshëm.

Ai përsëriti se propozimi evropian është bazë e mirë për diskutim, por tha se nuk përmban gjithçka që Kosova do të dëshironte.

Kurti, po ashtu, tha se pret dialog intensiv me Serbinë, në mënyrë që të mund të arrihet një marrëveshje sipas afatit të përmendur kohor, përkatësisht marsi i vitit 2023.

Rel: Zoti kryeministër, Kosovës dhe Serbisë u është propozuar ai që tani po quhet plan evropian për normalizimin e marrëdhënieve, i mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. A e pranoni ju këtë plan?

Albin Kurti: Qysh në vjeshtën e vitit të kaluar, unë kam thënë se propozimi i Bashkimit Evropian, i mbështetur nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme, është platformë e kornizë e përshtatshme për të ecur përpara.

Andaj, kam qenë përherë konstruktiv në qasjen ndaj këtij propozimi, i cili e ka gjuhën e koncepteve dhe nocioneve – le të themi – universale, sikurse pavarësia, integriteti territorial, sovraniteti, pastaj demokracia, sundimi i ligjit, vetëvendosja. Pra, gjëra që i kemi afirmuar gjithmonë si Republikë e Kosovës dhe si popull – ndër vite e dekada.

Rel: A mund të thuhet se ky plan është një draft-marrëveshje, një kornizë e marrëveshjes, apo përmban parime mbi të cilat mund të bëhet një marrëveshje e përgjithshme?

Albin Kurti: I ka pesë fjali në preambulë dhe i ka dhjetë nene gjithsejtë. Unë i kam dërguar edhe komentet e mia, meqenëse asnjëherë nuk më është thënë që ky është një propozim – merre ose lëre. Pra, nuk ka pasur një ultimatum të tillë asnjëherë. Andaj, edhe kemi thënë që, në parim, e konsiderojmë bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, për të cilat angazhohemi sa herë që të na ftojnë në Bruksel.

Natyrisht, shumëçka duhet të sqarohet aty, meqenëse një marrëveshje është e qëndrueshme kur hiqen dykuptimësitë. Dhe, vetëm kur është e qëndrueshme asisoj, bëhet edhe e zbatueshme përnjëmend.

Tash, në takimin e fundit që kishim më 20 janar, unë insistova që të jenë edhe pesë shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian ato që do ta ndryshojnë qëndrimin me aktin e dakordimit, për shkak se normalizimi i plotë [i marrëdhënieve] ndihmohet pikërisht përmes njohjes nga pesëshja, e cila ende nuk i është bashkuar shumicës së shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Pra, vërejtja ime – ka edhe të tjera – por ajo kryesorja që e kam përmendur në takimin e fundit, sigurisht që ka të bëjë me njohjen universale që na nevojitet brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ku ne aspirojmë të anëtarësohemi.

Rel: A mund të flasim edhe për vërejtjet e tjera që po i përmendni? Ju po thoni se është një bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme, por për cilat pika jeni skeptik?

Albin Kurti: Unë kam thënë në takime dhe gjithashtu i kam dhënë të shkruara komentet e mia, andaj nuk është e përshtatshme që konfidencialitetin e bisedimeve ta lëndojmë. Por, e di që nuk është e vërtetë që pala tjetër e ka pranuar këtë propozim. Edhe ajo i ka dhënë vërejtjet e veta.

Përshtypja ime është se trumbetimi se Beogradi na e paska pranuar propozimin evropian, është më shumë në funksion të trysnisë mbi Kosovën, sesa që paraqet të vërtetën e saktë, për shkak se ata i kanë bërë kërkesat që na largojnë nga normalizimi. Pra, kanë bërë vërejtje që na largojnë nga normalizimi.

Ndërkaq, vërejtjet që i kam bërë unë, janë vërejtje që pikërisht na e afrojnë edhe më shumë marrëveshjen drejt normalizimit. Ju e dini që presidenti [amerikan, Joe] Biden, kancelari [gjerman, Olaf] Scholz e thonë se kemi nevojë për marrëveshje ligjërisht, ndërkombëtarisht të obligueshme, e cila bën normalizimin e plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër.

Rel: Çfarë ka kundërshtuar pala tjetër?

Albin Kurti: Unë, sërish, nuk mund t’i them këto në emër të palës tjetër, por e di që ata i kanë dërguar komentet dhe vërejtjet e tyre dhe nuk është e vërtetë që e kanë pranuar plotësisht propozimin. Ndërkohë, mos të harrojmë që me datën 27 tetor në fakt, zyrtarisht, me votim në mbledhjen e Këshillit Nacional të Sigurisë, në Beograd është hedhur poshtë propozimi në mënyrë unanime.

Pra, të gjithë që kanë marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Nacional të Sigurisë në Beograd, ku ka qenë edhe presidenti i Serbisë, edhe kryeministrja, edhe ministri i Jashtëm, edhe shumë institucione shtetërore, në mënyrë unanime, pra njëzëri, e kanë hedhur poshtë propozimin e Bashkimit Evropian. Ndërkaq, tash kanë qenë më pozitivë – më 20 janar – mirëpo nuk është e vërtetë që e kanë pranuar plotësisht, meqenëse i kanë dhënë vërejtjet e tyre, të cilat janë – për bindjen time të fuqishme – vërejtje abnormalizuese.

Rel: A ka pasur ndryshime substanciale të propozimit nga ajo kohë deri më tani?

Albin Kurti: Besoj që themeli është ai i 9 shtatorit i vitit të kaluar i cili erdhi pas tri javësh që ne ishim takuar në Bruksel, në takimin e 18 gushtit që ka qenë tejet i rëndësishëm, për shkak se agjenda ishte e qartë, me një rend logjik: pika e parë – korniza e përgjithshme e marrëveshjes, pika e dytë – çështjet aktuale. Pra, në funksion të kornizës së përgjithshme të marrëveshjes edhe emisarët [Mirosllav] Lajçak, [Jens Ploetner] dhe [Emmanuel] Bonne e patën sjellë më 9 shtator.

Unë kam pritur që do të kemi takime të rregullta mujore, siç jemi dakorduar më 18 gusht. Kjo nuk ndodhi. Kam besuar se mbase është për shkak të refuzimit të Serbisë, ose ndoshta ndërmjetësit kanë ndonjë plan që s’e dimë as ne. Por, është gabim që takimi i 20 janarit ka ndodhur më 20 shtator dhe në të njëjtën kohë, nuk mendoj që është mënyrë e duhur zëvendësimi i takimeve direkte në Bruksel me ndërmjetësit me diplomacinë fluturuese Prishtinë e në Beograd.

Rel: Emisarët ndërkombëtarë, pas takimit të javës së kaluar, kanë thënë se kanë pritur më shumë mirëkuptim nga ana juaj. Për çfarë e kanë pasur fjalën, në cilat pjesë nuk keni treguar mirëkuptim?

Albin Kurti: Unë nuk kam thënë diçka që ata nuk e kanë pritur, duke pasur parasysh komentet që ua kam dërguar dhe deklarimet e mia, gjithmonë publike. Tash, nëse kanë pritur diçka më shumë, do të duhej të tregojnë ata. Nga pikëpamja ime gjithçka ka qenë korrekte, në rregull dhe takimi ka qenë shumë përmbajtjesor.

Por, së pari unë nuk jam dakord që 33 marrëveshjet e Brukselit të dekadës para se unë të vij në qeverisje, të krijohet hierarki e tyre, sepse nuk është e drejtë. Ato kanë kronologji, por nuk kanë hierarki. I përkasin një rrafshi horizontal që të 33 marrëveshjet e Brukselit dhe nuk mund të bësh zgjedhje duke ndarë marrëveshjet e preferuara për dikë. Dhe, në anën tjetër, nga ato 10 nene të marrëveshjes së synuar nëpërmjet propozimit të Bashkimit Evropian, pra ato 10 nene gjithashtu nuk mund të kenë ndryshim të renditjes në kundërshti me numrat që i kanë fjalitë dhe paragrafët në fillim.

Pra, 10 nene kanë numra dhe nuk mund të përzgjedhësh një nen që të preferohet nga ndonjë palë dhe as nuk mund të përzgjidhet ndonjëra prej marrëveshjeve që të preferohet e të imponohet nga njëra palë.

Rel: Zoti Kurti, para se të dalim te marrëveshjet e kaluara, zoti Lajçak ka thënë në intervistën e tij të fundit se me planin evropian Kosova fiton shumë dhe nuk humb asgjë. A e ndani këtë mendim me të?

Albin Kurti: Kosova nuk mund të humbë sepse ne jemi këtu si Qeveri e Republikës së Kosovës për ta mbrojtur dhe lartësuar Kosovën.

Rel: Po flasim për propozimin si të tillë…

Albin Kurti: Por, nuk është krejt ajo çfarë dëshirojmë ne. Pra, nuk është se Kosova humbet, por Kosova nuk e arrin atë që besojmë se është e drejtë, jo vetëm se e dëshirueshme. Por, kur të fillojmë bisedimet dhe të hapet çështja e marrëveshjes, bazuar në propozimin evropian, atëherë ne do të mund të diskutojmë hollësitë e tilla. Por, kjo nuk do të thotë që jo vetëm me palën serbe, por edhe me ndërmjetësit nuk e kemi leximin identik.

Rel: Deri më tani, në versionet që janë publikuar të këtij plani nuk përmendet njohja e ndërsjellë. A është kjo pika, në të cilën ju keni më së shumti problem?

Albin Kurti: Padyshim që për neve çfarëdo marrëveshje që nuk e ka njohjen reciproke në qendër, nuk është marrëveshje e normalizimit të plotë dhe në anën tjetër, nuk pretendohet me propozimin e Bashkimit Evropian që të kemi një marrëveshje finale. Ajo as nuk quhet marrëveshje finale dhe unë besoj me të drejtë nuk quhet, meqenëse duhet të ketë bisedime. Ajo është platformë e përbashkët për bisedime. Nuk është version përfundimtar i llojit ‘merre ose lëre’.

As neve, as në Bruksel, as në Prishtinë nuk është thënë kësisoj.

Rel: Megjithatë, sipas emisarëve, ekziston një kohë e përshtatshme që ata e konsiderojnë se duhet të ketë lëvizje përpara. Marsi është përmendur si një kohë në të cilën duhet të dihet se si do të vazhdohet tutje. A mendoni ju se do të ketë lëvizje domethënëse në atë drejtim deri në mars?

Albin Kurti: Me datën 18 nëntor të vitit të kaluar unë kam qenë në Talin të Estonisë në një vizitë zyrtare atje dhe atje më erdhi ftesa që me datën 21 të marrë pjesë në takimin e Brukselit dhe aty e kam parë për herë të parë marsin e vitit 2023, si afat të fundit kur do të duhej të arrinim marrëveshje. Për mua është plotësisht e arsyeshme që sa më parë ta arrijmë marrëveshjen, mirëpo për këtë duhet të ketë bisedime intensive. Andaj unë jam çuditur se si në njërën anë sillet propozimi, e në anën tjetër nuk insistohet për takime të dendura.

Rel: Z. Lajçak, gjithashtu, ka thënë se deri në mars do të dihet edhe se cila palë mund të jetë jobashkëpunuese në proces. Madje ka përmendur edhe sanksione ndaj Kosovës ose Serbisë, varësisht se cili shtet do të jetë jobashkëpunues. A ju janë përmendur juve sanksione të mundshme nëse nuk do të ketë sukses në këto negociata?

Albin Kurti: Kosova është rreshtuar me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe sa u përket sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe agresionit të invazionit të tyre në Ukrainë. Serbia nuk i ka vënë sanksione Federatës Ruse dhe mbase do të duhej të mendohej njëherë për sanksionet që duhet t’i ketë Serbia pse s’po i vë sanksione Rusisë.

Natyrisht që procese të caktuara do të mund të na i vonojnë, mirëpo unë besoj që garancia më e fuqishme që ka Republika e Kosovës është Raporti i fundit i Progresit nga tetori i vitit të kaluar, i cili është raporti më i mirë që kemi marrë ndonjëherë si vlerësim për shtetin tonë. Me këtë rast duhet theksuar që nuk ekziston asnjë fushë, në të cilën kemi ose regres ose stagnim. Bëhet fjalë vetëm për lloje të ndryshme të progresit, prandaj vlerësimi për Kosovën duhet të bazohet ekskluzivisht në atë çfarë ne bëjmë në vendin tonë sa u përket vlerave evropiane dhe rritjes ekonomike e jo për nga dëgjueshmëria, le të themi politike, ndaj cilitdo zyrtar.

Rel: Po e përsëris pyetjen. A ju është thënë që Kosova mund të ketë sanksione si humbja e mbështetjes ose zvogëlimi i mbështetjes ndërkombëtare në rast se nuk ka progres?

Albin Kurti: Shikoni, nuk kemi diçka konkrete. Por, mund ta kenë thënë në mënyrë implicite ose të aluduar që mbështetja për Kosovën që pritet, nuk do të mund të jetë e tillë nëse Kosova nuk, le të themi… nuk cilësohet si konstruktive. Mirëpo, ne jemi shumë konstruktivë, përveç që jemi të përkushtuar dhe kreativë.

Rel: Faktori ndërkombëtar së fundi e ka rritur edhe presionin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ju keni thënë që nuk doni të ketë një Republika Sërpska brenda Kosovës. Megjithatë, SHBA-ja insiston se nuk do ta lejonte një Republikë Sërpska brenda Kosovës. Pse nuk po i besoni garancisë së SHBA-së për këtë?

Albin Kurti: Natyrisht që Beogradi e dëshiron një Republikë Serbe brenda Kosovës, siç e ka në Bosnjë [dhe Hercegovinë]. Ju e dini që Serbia de jure e njeh Bosnjë dhe Hercegovinën, por de facto nuk e njeh. Dhe, ata nuk e fshehin qëllimin e tyre për ta krijuar një Republikë Serbe [brenda Kosovës]. Ne konsiderojmë që një rrezik i tillë ekziston, mirëpo ne duhet të jemi të kujdesshëm, të jemi vigjilentë dhe të mos e lejojmë atë. Por, pa harruar edhe faktin që nëse diçka është pak më mirë se Republika Serbe, jo domosdo është mirë. Pra, edhe nëse themi që nuk do të jetë Republikë Serbe bash tamam qysh është Republika Serbe, kjo nuk është ndonjë garanci që nëse nuk qenka Republikë Serbe, atëherë na qenka shumë mirë puna.

Unë e kam theksuar disa herë që ne nuk e mohojmë që paraardhësit tanë kanë bërë gabime të mëdha dhe na e kanë lënë trashëgimi gjendjen me të cilën përballemi ne. Mirëpo, në anën tjetër, duhet ta ritheksojmë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe përderisa është Asociacion njëetnik, nuk e duron Kushtetutshmëria e Kosovës, e cila është bazuar në propozimin e ish-presidentit [Marti] Ahtisaari.

Pastaj, nuk ka mundësi që Serbia thotë që shteti i Kosovës është i rrejshëm e ma jepni Asociacionin e vërtetë, pra nuk ka kurrfarë logjike ai insistim. Dhe, gjithashtu, Serbia kur kërkon diçka për serbët në Kosovë, do të duhej ta mendojë e paramendojë shumë seriozisht që nuk mund të anashkalohet parimi i reciprocitetit.

Më shumë ka joserbë në Serbi sesa që ka joshqiptarë në Kosovë dhe vetëm katër për qind janë serbë në Kosovë. Para 15 vjetëve, Kosova u shpall multietnike dhe insistimi në Asociacionin njëetnik me të vërtetë nuk është i drejtë. Unë angazhohem për të gjithë serbët për t’ua mbrojtur të drejtat, për t’ua dëgjuar kërkesat dhe për t’ua plotësuar nevojat. Mirëpo, nuk mund ta kompensoj Serbinë për humbjen e luftës në pranverën e vitit 1999.

Rel: Më 31 janar Ambasada amerikane në Kosovë do të organizojë takim ku do të diskutohet për Asociacionin. A do të merrni pjesë në këtë takim?

Albin Kurti: Unë nuk jam ftuar në atë takim, por ata që janë ftuar, le të shkojnë në atë takim dhe le ta diskutojnë. Por, po e ritheksoj, nga 33 marrëveshjet e Brukselit nuk bën të zgjidhet njëra sepse nuk ka hierarki. Nuk mund të krijohen hierarki artificiale, përveç rendit kronologjik. Ndërkaq, në anën tjetër, edhe nga propozimi i Bashkimit Evropian nuk mund të përzgjidhet vetëm ndonjë nen, i cili mendohet që e përfshin Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pra, unë besoj që ky takim është pasojë e insistimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit amerikan, i cili është edhe emisar special për Ballkanin dhe i cili ka deklaruar që, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, Asociacioni duhet të bëhet.

Unë kam pritur që ai në Beograd do të deklarojë që, pavarësisht presidentit të Serbisë, Serbia duhet ta njohë Kosovën në vend se në Prishtinë të thotë, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, duhet të bëhet Asociacioni.

Rel: Kryeministër, a jeni duke thënë që derisa ju jeni në krye të Qeverisë, nuk mund të ketë Asociacion të komunave me shumicë serbe?

Albin Kurti: Nuk po e them vetëm unë këtë. Asociacioni – pa u hapur çështja e marrëveshjes finale, ligjërisht të obligueshme, me njohjen reciproke në qendër – Asociacioni me bazë njëetnie; Asociacioni me ato struktura ilegale në veri, të cilat 16 rrugëve ilegale që na i mbyllën, iu përgjigjën me 16 barrikada në rrugë ilegale, ky Asociacion as nuk është i qëndrueshëm, as i zbatueshëm e natyrisht as i pranueshëm.

Radio Evropa e Lirë: Por, a ka ndonjë lloj të Asociacionit të pranueshëm për ju? Në çfarë formati ju do të pranonit një lloj bashkimi të komunave apo të komunitetit serb në Kosovë?

Albin Kurti: Ne e kemi Asociacionin e komunave të Kosovës dhe aty janë anëtare edhe komunat me shumicë serbe. Unë jam për asociacione që janë zhvillimore, demokratike, mbi vlerat evropiane e jo mbi baza etnie, jo etnia të jetë baza e Asociacionit të komunave.

Ju e dini që edhe propozimi i ish-presidentit Ahtisaari ka dhënë të drejtë vetoje për aq shumë gjëra në Kuvendin e Republikës për përfaqësuesit e pakicës serbe pikërisht që të mos lejohet territorializimi i të drejtave. Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk e synon rritjen e të drejtave për serbët, por territorializimin e atyre të drejtave, siç e kanë bërë në Bosnjë [dhe Hercegovinë]. Pra, në Bosnjë e kanë të drejtën e vetos, por në të njëjtën kohë e kanë edhe territorializimin e pranisë së tyre. Këtë gjë po e synojnë edhe në Kosovë, ndërkohë vazhdojnë të mos i pranojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe t’i mirëmbajnë raportet e mira me Kremlinin në Rusi.

Rel: I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, më 13 dhjetor ka thënë se – po e citoj – “Asociacioni do të formohet, SHBA-ja do të jetë pjesë e procesit dhe aty duhet të përfshihet Qeveria e Kosovës”, në të kundërtën, siç ka thënë ai, “mund të zhvillojmë këtë diskutim me partnerë alternativë”. Kush mund të jenë partnerët alternativë, sipas jush, dhe a është ky një mesazh për ju?

Albin Kurti: Unë mendoj që duhet ta pyesni atë. Duhet ta pyesni z.Escobar se çfarë ka menduar. Unë i di shumë gjëra, por nuk është në rregull të flas se çfarë kanë menduar të tjerët kur kanë folur diçka. Besoj që më mirë është t’i pyesim ata.

Rel: Insistimi ndërkombëtar për formimin e Asociacionit vazhdon. Vazhdon edhe insistimi juaj për të mos u formuar një Asociacion i tillë. A mund të bëhet Asociacioni shkas për dorëheqjen tuaj?

Albin Kurti: Nuk mendoj që Asociacioni është thjesht një projekt, i cili ka pengesë vetëm kryeministrin. E ka pengesë kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, demokracinë, popullin e Kosovës dhe unë nuk besoj që Kosova e ka nevojë urgjente një Asociacion të tillë.

Kosova ka nevojë urgjente për njohje reciproke me Serbinë.

Ata të cilët flasin ditë e natë për Asociacionin ndërkohë kur Serbia të thotë se s’të njeh asnjëherë, për besë i ndihmojnë asaj. Nuk është fer [e drejtë] ndaj popullit shumë të vuajtur të Kosovës. Nuk mund të nxirret qerrja para kalit. Njohja reciproke është në qendër. Presidenti [Joe] Biden ka thënë normalizim i marrëdhënieve me marrëveshje që e ka në qendër njohjen reciproke. Është gabim i madh në diskursin politik dhe publik të hiqet njohja reciproke prej qendrës e aty të vendoset Asociacioni, siç po duket që po ngjan. Unë nuk mund ta pranoj këtë. Presidenti Biden ka dhënë udhëzime të tjera dhe ne do të duhej që shtetin tonë, atdheun tonë, ta duam edhe më shumë se presidenti Biden, jo më pak se ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme