Google ADS

Delegatët e FFK-së votojnë pro miratimit të statutit të ri

12:29 | 27 Janar 2023
K.B

Federata e Futbollit të Kosovë (FFK) ka mbajtur sot (e premte) kuvendin e jashtëzakonshëm, ku u votua statuti i ri i këtij institucioni.

Sot në selinë e FFK-së, nga ora 11:00 u mbajt Kuvendi i Jashtëzakonshëm i FFK-së me pikën e vetme të rendit të ditës që ishte miratimi i Statutit dhe akteve tjera normative të nevojshme.

Sipas FFK-së, Draft-Statuti është hartuar nga muaj prill i vitit të kaluar nga ekipi i përbërë prej tre zyrtarëve të UEFA-s, dy zyrtarëve të FIFA-s dhe nga komisioni i ekspertëve të FFK-së, në harmonizim të plotë me statutet e dy institucioneve të futbollit.

Kuvendi i Jashtëzakonshëm nisi me fjalimin e kryetarit Agim Ademi, ndërsa pas tij foli edhe kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi dhe përfaqësuesi i UEFA-s, Luca Nikola.

Me të përfunduar fjalimet u krijua komisioni vlerësues për proceverbal dhe mbarëvajtjen e votimit.

54 delegatë nga 58 të ftuar ishin të pranishëm dhe kishte kuorum për të vazhduar tutje me votimin e Statutit të ri.

Fjalën e mori ushtruesi i detyrës së sekretarit të FFK-së, Taulant Hodaj, i cili tregoi gjithçka rreth ndryshimeve për Statutin e ri dhe më pas u hap debati.


Delegati nga regjioni i Gjakovës, kryetari i Trepçës ’89, Abedin Zeka, përfaqësuesi i Dritës, Valon Zymberi hodhën kritikat e tyre, ndërsa Tahir Batatina i Llapit thuri lavde dhe i ftoi ta votojnë Statutin e ri.

Pasi u hodh në votim Statuti i Ri i FFK-së, ai mori votat e nevojshme apo 2/3-tat e votave për t’u miratuar.

48 ishin pro Statutit, 5 nuk votuan fare dhe 1 abstenoi.

Pjesë e punimeve të Kuvendit ishin edhe përfaqësues të MKRS dhe delegatë nga klubet që janë deklaruar kundër si Drita dhe Trepça ’89. /telegraf

Të ngjashme