Deputetët e Parlamentit Evropian kanë kërkuar të mërkurën një hetim të pavarur për komisionarin për zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, i cili vjen nga Hungaria.
Ata dyshojnë se progres-raportet e hartuara nga Varhelyi, kanë favorizuar autokratët, ku theksi i veçantë vendoset në dialogun Kosovë-Serbi, raporton “Arbresh.info”.
Deputetët e PE-së kanë shprehur shqetësimin se ai favorizon presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Njohësit e cështjeve politike në vend, kanë mirëpritur një hetim të tillë, duke shtuar se Varhelyi nuk është i vetmi i njëanshëm në dialogun Kosovë-Serbi.
Profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë se nuk është hera e parë që Varhelyi favorizon Serbinë, dhe kjo vërehet në mbështetjen e tij për Ballkanin e Hapur dhe vije si pasojë e qasjes pro ruse dhe pro serbe të kryeministrit hungarez, Viktor Orban.
“Ai edhe më herët haptazi e ka favorizuar Serbinë, edhe në takimin e treshes ballkanike për Ballkanin e Hapur, ai e ka favorizuar këtë nismë, gjithnjë pa Kosovën brenda, rrjedhimisht, e ka favorizuar Serbinë pa Kosovën, por, jo vetëm ai, po edhe politika e Orban është e tillë, segmentare, jodemokratike dhe favorizuese ndaj regjimeve si i Vuciqit dhe Putinit, regjime që janë autokratike dhe jodemokratike”, tha Baraliu për “Arbresh.info”.
Ai, thotë se përveç Varhelyi edhe përfaqësuesit tjerë më të rëndësishëm të BE-së, si Josep Borrell, Miroslav Lajcak e Peter Stano po e favorizojnë Serbinë.
Sipas tij, kjo shkon në dëm të dialogut dhe në dëm të bashkëjetesës mes Kosovës dhe Serbisë.
“Jo vetëm Varhelyi, por edhe Borrelli, Stano dhe Lajcaku e kanë favorizuar dhe po e favorizojnë Serbinë, madje edhe politikat zyrtare të disa institucioneve të Bashkimit Evropian dhe kjo nuk shkon as në favor të dialogut as të stabilitetit, as të perspektivës në Ballkan e aq më pak të perspektivës së bashkëjetesës së Kosovës dhe Serbisë në një proces dialogu”, theksoi Baraliu.
Ai, shtoi se Kosova vazhdimisht po diskriminohet nga BE-ja dhe për këtë gjë duhet një reagim i ashpër, sepse vlerat evropiane që Kosova po i kultivon, vetë BE-ja po i shkel pa u ndalur.
“Kosova vazhdimisht neglizhohet, nënvlerësohet dhe diskriminohet dhe për këtë situatë do duhej reaguar. Kur janë në pyetje interesat e shtetit dhe qytetarit të Kosovës do të duhej të reagohej menjëherë dhe ashpër në kuptimin gjithnjë civilizues, pozitiv dhe në kufi të së lejuarës demokratike të vlerave evropiane, të cilat, ne po përpiqemi t’i ofrojmë dhe t’i kultivojmë e ata vetë nuk po i kultivojnë, bile po i shkelin një nga një për interesa të caktuara segmentare”, deklaroi Baraliu.
Tutje, ai theksoi se Kosova nuk duhet ta vazhdojë dialogun në kushte të pabarabarta, siç po zhvillohet deri më tani. Ai përmendi shembullin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si shembull për politikën jo parimore dhe aspak korrekte të BE-së.
“Duhet reaguar me këmbëngulje sepse nuk duhet lejuar më tutje vazhdimi në kushte të tilla të pabarabarta kur edhe BE-ja me politikën zyrtare po e përkrah atë që kërkon Serbia dhe ky është shembulli kulminant për këtë. Serbia e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me trajtimin e çështjes së Asociacionit, të njëjtën gjë po e kërkon edhe BE-ja dhe ShBA-të. Kjo nuk është politikë parimore dhe korrekte, në këtë mënyrë nuk zgjidhen gjërat”, përfundoi Baraliu për arbresh.info.
Ndërkaq, analisti politik, Arbnor Sadiku, deklaroi se fillimi i hetimit ndaj komisionerit Varhelyi, është lajm i mirë për Kosovën dhe i keq për Serbinë.
“Sigurisht që hetimi i z.Varhelyi, nga PE, është lajm i mirë për Kosovën dhe lajm i keq për politikën e jashtme të BE-së, si dhe Serbinë pasi që kjo shihet si ndikim direkt i Serbisë në politikat e BE-së për Ballkanin Perëndimor. Në aspektin negativ, pra, komisoneri Varhelyi, kishe ndikuar sipas burimeve të informimit, që Serbisë ti bëhen favore dhe shkrime pozitive në raportin e progresit, po ashtu ka ndikuar që Hungaria edhe pse ka njohur Kosovën të shpreh qëndrim kundërshtues në raport me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha Sadiku për arbresh.info.
Sipas Sadikut, ky hetim dëmton edhe politikën e jashtme të BE-së si dhe ia heq maskën Serbisë dhe e paraqet si shtet pro rus e jo pro evropian.
“Pra, hetimi i komisionerit në fjalë z.Varhelyi nga PE, është në favor të Kosovës por, dëmton seriozisht reputacionin e politikes së jashtme të BE-së karshi Ballkanit Perëndimor, dhe shpërfaq Serbinë si shtet me politika pro ruse e jo që synon anëtarësimin e saj drejtë Unionit Evropian.”, deklaroi ai për “arbresh.info”.
Se Varhelyi po e mbështet Vuçiqin, e tha të mërkurën e kaluar edhe Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten.
Ai theksoi se Varhelyi po punon i dirigjuar nga kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili njihet si përkrahës i Putinit, pra, sipas tij ai nuk po punon aspak në interes të BE-së
“Komisioneri Várhelyi vazhdimisht relativizon sulmet e presidentit serb Aleksandar Vuçiç ndaj demokracisë dhe mbështet veprimet separatiste të Milorad Dodik”. Ky grup, i dyti për nga madhësia në Parlamentin Evropian, thotë se e ka “pranuar kandidaturën e komisionerit Várhelyi me kusht që ai të veprojë vetëm në interes të të gjithë BE-së. Jo në interes të qeverisë së Budapestit. Tani, pas tre vjetësh në detyrë, ka arsye serioze për të besuar se komisioneri po ndjek axhendën e (Viktor) Orban”, është shprehur eurodeputeti holandez Thijs Reuten.
Ndërsa, grupi i socialistëve dhe demokratëve në Parlamentin Evropian, S&D, pra, grupi ku bën pjesë eurodeputeti Reuten, përmendi se KE-ja duhet ta mbrojë territorin e Bosnjës, promovimin e demokracisë në Serbi dhe garantimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe Mal të Zi.
Pra, sipas kësaj deklarate Varhelyi nuk e ka bërë një gjë të tillë.
“Roli i Komisionit Evropian është të mbrojë integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës, të promovojë demokracinë në Serbi dhe të garantojë paqen dhe stabilitetin në Mal të Zi dhe Kosovë. Jo anasjelltas”, thekson S&D.
Në bazë të raporteve të Komisionit, Këshilli vendos për një mandat negociues me vendet përkatëse. Bosnja dhe Hercegovina e mori statusin e kandidatit për BE në tetor, duke iu bashkuar Malit të Zi dhe Serbisë. Kosova ende nuk e ka marrë këtë status, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë tashmë në një fazë të re në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, me negociatat e anëtarësimit të hapura që nga 19 korriku.
Komisionari i zgjerimit në BE, Varhelyi, konsiderohet si njeriu i Orbanit në Bruksel dhe është kritikuar edhe më parë për sjellje miqësore dhe të butë ndaj autokratëve të Ballkanit, sidomos presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Ndryshe, në vitin 2019 Oliver Varhelyi është zgjedhur Komisionar i Zgjerimit të Bashkimit Evropian./Arbresh.info/ Emir Abduramani/
Ana dhe Kevini nuk e dinë kush e ka shpallur Pavarësinë e Ko...
Ruben Amorim merr vendimin e parë – bllokon largimin e yllit...
Mike Johnson: Programi i Trump-it nuk përfshin dëbimin e emi...
Gjesti dhe Xheneta sqarohen, diskutojnë gjerë e gjatë
Një qytetar nga Podujeva dorëzon në polici para të gjetura
Dita Botërore e foshnjeve të lindura para kohe – Një p...