Federata e Basketbollit vendos se ku do të zhvillohet Kupa e Kosovës

10:37 | 24 Janar 2023
K.B

Bordi Ekzekutiv i Federatës së Basketbollit të Kosovës në mbledhjen e fundit të mbajtur të hënën ka vendosur që Kupa e Kosovës të zhvillohet në Rahovec.

Palestra “Mizahir Isma” do të jetë vendi ku do të mbahet turneu, derisa do të ketë masa të rrepta sigurie, duke mos lejuar asnjë incident.

Të pranishëm do të ketë edhe tifozë për këtë event, mirëpo nuk do të lejohen simbole të tifozerive.

Më poshtë keni njoftimin e plotë( pa ndërhyrje) të FBK-së:

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) në mbledhjen e mbajtur më 23.01.2023 në Prishtinë ka shqyrtuar situatën aktuale në basketbollin kosovar dhe, ndër të tjera, ka vendosur si në vijim:

E ka miratuar Raportin e Punës të FBK-së për vitin 2022

E ka miratuar Planin e Veprimit për vitin 2023

E ka miratuar Planin e Marketingut dhe Komunikimit 2023

E ka miratuar Planin Financiar për vitin 2023

Ka vendosur që Kuvendi i Punës i FBK-së të mbahet më 22 mars 2023 në Prishtinë

I ka miratuar Propozicionet e Garave të Kupës së Kosovës 2022/23

Ka vendosur që Final 8 Kupa e Kosovës të organizohet në palestrën “Mizahir Isma” prej 15 deri më 19 shkurt nga KB Rahoveci me këto kushte:

– Do të lejohen shikuesit në palestër, por vetëm në mënyrë jo të organizuar, si dhe pa simbole dalluese

– Biletat duhet të blihen vetëm me letërnjoftime

– Kërkesë për prokuror kujdestar për të qenë në palestër në datat e organizimit të eventit, si dhe

– Vënia në funksion e kamerave në palestër.

– Masa të larta të sigurisë, duke përfshirë këtu Policinë e Republikës së Kosovës dhe Sigurimin Privat

– Është miratuar propozimi për ristrukturim të zyrës ekzekutive të FBK-së (ndarja në departamente) dhe janë miratuar ndryshimet në Rregulloren për Organizim të Brendshëm të FBK-së

– Janë emëruar përzgjedhësit e Përfaqësueseve të Reja të Kosovës

– Ka vendosur që Shpallja e Laureatëve në basketboll për vitin 2023 të bëhet në muajin dhjetor.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme