Google ADS

Turqia anulon vizitën e ministrit suedez të mbrojtjes

10:47 | 21 Janar 2023
A. B.

Turqia lajmëroi të shtunën se kishte anuluar vizitën e ministrit suedez të mbrojtjes për shkak të një proteste të planifikuar kundër Turqisë në Stockholm.

“Në këtë pikë, vizita e ministrit suedez të mbrojtjes Pal Jonson në Turqi më 27 janar ka humbur rëndësinë dhe kuptimin e saj, kështu që ne e anuluam vizitën”, tha ministri turk i mbrojtjes Hulusi Akar.

Vizita e ministrit suedez kishte për qëllim tejkalimin e kundërshtimeve të Ankarasë ndaj ofertës së Suedisë për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s.

Turqia është zemëruar nga leja e marrë nga një ekstremist i krahut të djathtë për të protestuar të shtunën përpara ambasadës turke në kryeqytetin suedez.

Politikani danezo-suedez, Rasmus Paludan, veprimet anti-islamiste të të cilit shkaktuan trazira në të gjithë Suedinë vitin e kaluar, ka shprehur synimin e tij për të “djegur Kuranin”, librin e shenjtë të Islamit, gjatë protestës së tij të shtunën.

Turqia kishte thirrur të premten ambasadorin e Suedisë për të “dënuar këtë veprim provokues që është qartësisht një krim urrejtjeje — në termat më të fortë,” tha një burim diplomatik, raporton AFP.

Kjo është hera e dytë në më shumë se një javë që thirret ambasadori i Suedisë në Turqi.

Javën e kaluar, ai u thirr për t’u përgjigjur për një video të postuar nga një grup kurd në Stockholm që përshkruante presidentin Rexhep Tajip Erdogan duke tundur këmbët i varur në litar.

Suedia, së bashku me Finlandën fqinje, ka nevojë për pëlqimin e Turqisë për t’u anëtarësuar në NATO.

Të dy vendet hoqën dorë nga mosangazhimi ushtarak për dekada vitin e kaluar kur aplikuan për t’u bashkuar me aleancën perëndimore të mbrojtjes në përgjigje të agresionit rus të Ukrainës.

Ankaraja thotë se çdo përparim varet nga hapat suedez për ekstradimin e njerëzve që i akuzon për terrorizëm ose se kanë luajtur një rol në përpjekjen për grusht-shteti të vitit 2016 kundër Erdoganit.

Turqia argumenton se Suedia nuk ka bërë mjaftueshëm për të goditur grupet kurde që Ankaraja i sheh si “terroriste”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme