Bizneset në Shqipëri në krizë pas pandemisë

17:19 | 20 Janar 2023
E.H

Pandemia futi në krize bizneset në Shqipëri.

Shumë prej tyre falimentuan, e të tjerët kërkuan ndihmën e ekspertëve për të sjellë diçka ndryshe.

Pandemia nxori në pah shumë profesione që kanë qenë të fshehura e shumë pak dëgjohej për to.

Konsulent marketing, është një term dhe profesion jo shumë i dëgjuar në vendin tonë.

“Pas pandemisë bizneset kanë filluar të interesohen shumë më tepër për pjesën e brendit duke qenë se kriza e COVID-19, ka sjellë probleme për shumë biznese dhe marketingu është bërë domosdoshmëri, kryesisht për riorganizim të biznesit, rënie të të ardhurave dhe donin që të kishin më shumë imazhe fitimi,” – tregoi Ervin Uruçi, konsulent marketingu.

Ervini e ushtron profesionin prej 5 vitesh. Ai tregon se pandemia nxori në pah, ngjashmërinë që shumë biznese kishin.

“Bizneset duhet të jenë të ndryshme dhe nuk duhet të synojnë të kopjojnë konkurrencën sepse kjo është rruga drejt falimentimit. Kryesisht bizneset në Shqipëri hapen si një kopje e një biznesi që është tashmë,” – u shpreh ai.

Gerado është menaxher i një biznesi. Ai tregon se në fillimet e tij, gjithçka çfarë kishte rëndësi në punën e tij ishte sasia. Por pandemia, i vërtetoi të kundërtën, shkruan euronews.al.

“Pamë që klientela kishte, volum kishte por nuk kishte cilësi. Atë që ne prisnim, kishim ideuar. Me këshillat e ekspertit arritëm të kuptonim që nuk ishte e nevojshme sasia por cilësia. Vumë re që shërbimi ishte më i mirë dhe të ardhurat më të larta,” – tha ai.

Çdo vit rritet me 1 deri në 2 mijë numri i bizneseve të mëdha, në vendin tonë. Edhe në periudhën para, gjatë dhe pas pandemisë, të dhënat zyrtare tregojnë se ky trend nuk është ndalur.

Numri subjekteve aktive që ushtrojnë aktivitetin në vendin tonë si Biznes i Madh, sipas shifrave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, është aktualisht 26,701. Prej tyre numri i regjistruar si Biznes VIP është 879.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme