Përkeqësimi i motit në Shqipëri, shfaqen përmbytjet në Shkodër

14:45 | 18 Janar 2023
Vjollca Gajraku

Përkeqësimi i kushteve atmosferike, me erë të fortë dhe reshje e shtrëngata shiu, kanë krijuar problematika të ndryshme thuajse në të gjithë vendin.

Në Shkodër, rreth mesditës, janë shënuar përmbytjet e para të tokave pranë Bunës. Nga ora në orë, nivelet e ujrave në lumenjtë Drin dhe Buna, si dhe në liqenin e Shkodrës, po shënojnë rritje. Dhe këto ritme pritet që mbrëmja e së mërkurës dhe dita e enjte mund të sjellë përkeqësim të situatës që mund të shkaktojnë edhe përmbytje. Sakaq, autoritet lokale bëjnë me dije se hidrocentralet në kaskadën e Drinit kanë nisur shkarkimet në masën e rreth 1400 metër kub ujë në sekondë. Në Qarkun e Shkodrës ka patur problematika edhe me rrugët rurale, për shkak të rënies së gurëve, ndërsa disa fshatra kanë mungesë të furnizimit me energji elektrike.

Në veri, në Qarkun e Kukësit, era e fortë dhe reshjet e shiut kanë shkaktuar rrëshqitje të gurëve dhe inerteve, kryesisht në rrugët rurale. Aksi që lidh Kukësin me Shishtavecin shfaq problematikë me rënien e gurëve, duke krijuar vështirësi në qarkullim. Ndërkohë, niveli i Fierzës po vijon të rritet nga ora në orë për shkak të prurjeve dhe nga matjet më të fundit, Fierza ka arritur në kuotën e 290 metrave.

Problematika për shkak të kushteve të motit janë shfaqur edhe në zonat bregdetare. Në Durrës dhe Vlorë ka patur pezullim të daljes në det të mjeteve lundruese të vogla dhe të mesme, madje janë pezulluar përkohësht edhe lundrimet e linjave të trageteve drejt Barit, Ankonës dhe Brindizit. Dallgëzimi në det të hapur shkon nga 6 deri në 7 ballë.

Në fshtarat e Vlorës, kryesisht në zonën e Dukatit dhe Llogarasë, ka patur edhe ndërprerje të furnizmit me energji elektrike.

Situata me mot të paqëndrueshëm me erë të fortë dhe shtrëngata shiu pritet të vijojë në vendin tonë edhe për dy ditët në vazhdim./a2cnn

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme