Google ADS

Shkeli rregullat e shpejtësisë në trafik, Zvicra i mohon shtetësinë milionerit francez

10:32 | 17 Janar 2023
A. B.

Autoritetet zvicerane i kanë refuzuar kërkesën për shtetësi një shtetasi francez, pasi ai u shpall fajtor për drejtimin me dyfishin e lejuar të shpejtësisë.

Vendimin për refuzimin e kërkesës për shtetësi të shtetasit francez, i cili jeton në Zvicër për gati katër dekada dhe është pronar i klinikave dhe hoteleve luksoze, është marrë nga Administrata Federale e Zvicrës.

Sipas SchengenVisaInfo.com i pandehuri konsiderohej si i mirëintegruar dhe i qëndrueshëm financiarisht, me një pasuri që arrinte në miliona franga. Megjithatë, pasi ai u kap duke ecur me 80 km/h në një zonë me shpejtësi të kufizuar prej 40 km/h në vitin 2017, autoritetet vendosën të refuzojnë kërkesën e tij për natyralizim, e cila ishte dorëzuar në vitin 2018.

Prokuroria publike e Gjenevës e kishte dënuar edhe me gjobë shtetasin francez , emri i të cilit nuk bëhet i ditur, në korrik të 2017-ës.

Duke marrë parasysh veprën penale që ka bërë shtetasi francez, Gjykata Administrative Federale Zvicerane vendosi se një person me precedentë penalë nuk mund të pretendojë ‘integrim të suksesshëm’. Për më tepër, gjykata shtoi se shtetësia nuk mund të jepet derisa të ketë skaduar masa e provës, theksoi Swiss Info. Kjo do të thotë se shtetasi francez së shpejti duhet të paraqesë një kërkesë të re për shtetësi.

Shtetasve të vendeve të tjera mund t’u jepet shtetësia zvicerane për sa kohë që ata plotësojnë disa kërkesa. Ekzistojnë dy mënyra kryesore përmes të cilave një i huaj mund të fitojë shtetësinë dhe ato janë natyralizimi i thjeshtuar si dhe natyralizimi i zakonshëm. Natyralizimi i thjeshtuar zbatohet vetëm për disa kategori personash dhe vendimi është më i shpejtë pasi merret nga qeveria federale.

Nga ana tjetër, natyralizimi i zakonshëm është një proces më kompleks pasi duhet të kalojë përmes autoriteteve kantonale, komunale dhe federale të vendit.

Rregulli i përgjithshëm për natyralizimin e zakonshëm është që një person duhet të dëshmojë se ka dhjetë vjet që banon në Zvicër dhe ka një leje qëndrimi të përhershme.

Përveç këtyre, aplikantët për natyralizim duhet të dëshmojnë edhe se janë integruar me sukses në shoqëri dhe kanë njohuri për zakonet. Ata që aplikojnë për natyralizim nuk duhet të paraqesin rrezik për sigurinë e vendit.

Procedurat dhe kërkesat, mund të ndryshojnë nga një kanton në tjetrin. Për këtë arsye, të gjithë këshillohen të kontrollojnë rregullat që ka kantoni i tyre kur bëhet fjalë për paraqitjen e një aplikimi./A2CNN

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme