Google ADS

Irani ekzekuton një shtetas britaniko-iranian për spiunazh, reagon ashpër Britania

18:52 | 14 Janar 2023
E.H

Irani ka ekzekutuar një shtetas britaniko-iranian i cili kishte shërbyer në të kaluarën si zëvendësministër mbrojtjeje në vend, tha një agjencia e lajmeve Mizan e lidhur me degën e gjyqësorit në Teheran.

Ekzekutimi i tij u bë duke sfiduar thirrjet nga Londra dhe Uashingtoni për lirimin e tij pasi iu dha dënimi me vdekje me akuzën se ishte agjent i Britanisë.

Britania, e cila e cilësuar çështjen kundër Alireza Akbarit të motivuar politikisht, e dënoi ekzekutimin. Kryeministri Rishi Sunak e quajti atë “një akt të mizor dhe burracak të kryer nga një regjim barbar”.

Akbari, 61 vjeç, u arrestua në vitin 2019.

Agjencia Mizan njoftoi për ekzekutimin pa thënë se kur kishte ndodhur.

Të premten vonë, Sekretari i Jashtëm britanik, James Cleverly, kishte thënë se Irani nuk duhet ta zbatonte dënimin.

Ekzekutimi duket se do ta rrisë edhe më shumë presionin në lidhjet e tensionuara të Iranit me Perëndimin, të cilat janë përkeqësuar më tej që kur bisedimet për të rigjallëruar marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 ngecën dhe Teherani u përgjigj me goditje vdekjeprurëse ndaj protestuesve vitin e kaluar.

Në një inçizim ku mendohet se është zëri i Akbarit, transmetuar nga shërbimi në gjuhën perse i BBC-së të mërkurën, ai thoshte se kishte pranuar kryerjen e krimeve që nuk i kishte bërë, pas torturave të shumta.

“Alireza Akbari, i cili u dënua me vdekje me akuzat për korrupsion dhe veprime të gjera kundër sigurisë së brendshme dhe të jashtme të vendit nëpërmjet spiunazhit për shërbimin e zbulimit të qeverisë britanike, u ekzekutua,” tha agjencia Mizan.

Sipas njoftimit të saj, ish-zyrtari i qeverisë iraniane kishte marrë pagesa prej 1,805,000 euro, 265,000 paund dhe 50,000 dollarë për spiunazh.

Sunak u shpreh në Twitter se ishte “i tmerruar nga ekzekutimi”, duke thënë se Teherani “nuk kishte respekt për të drejtat e njeriut të popullit të tij”.

Cleverly tha në një deklaratë se ekzekutimi nuk do të kalonte pa marrë përgjigje, duke njoftuar më pas se Britania kishte vendosur sanksione ndaj prokurorit të përgjithshëm të Iranit.

Deklaratat britanike për çështjen nuk e kanë përmendur akuzën iraniane se Akbari kishte spiunuar për Britaninë.

Ambasadori amerikan në Londër tha të shtunën se Shtetet e Bashkuara dënojnë ekzekutimin e shtetasit britaniko-iranian, duke e përshkruar atë si “të tmerrshëm”.

“Ekzekutimi i shtetasit britaniko-iranian Alireza Akbari në Iran është i tmerrshëm dhe i neveritshëm,” tha ambasadorja Jane Hartley në Twitter.

“Shtetet e Bashkuara bashkohen me Mbretërinë e Bashkuar për të dënuar këtë akt barbar. Mendimet e mia janë me familjen e Alirezës.”/voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme