Tahiri: Qeveritë shkojnë e vijnë, administrata shtetërore duhet të mos preket

18:33 | 14 Janar 2023
E.H

Shefi i grupit parlamentar te AAK-së, Besnik Tahiri e quan inkurajues vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin për Zyrtarët Publik.

Gjykata Kushtetuese ka njoftuar sot se ky ligj nuk mund të dekretohet, as të hyjë në fuqi si dhe as të prodhojë efekte juridike deri në vendimin final të kësaj gjykate.

Tahiri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Qeveritë shkojnë e vijnë, administrata shtetërore duhet të mbesë”.

“Njoftimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për Kuvendin se Ligji për Zyrtarët Publik nuk mund të dekretohet, nuk mund të hyjë në fuqi dhe as të prodhojë efekte juridike deri në vendimin final të Gjykatës, është një lajm shumë inkurajues”, ka shkruar ai.

Sipas tij, ky është një epilog logjik dhe demokratik kundër “qasjes së këtij establishmenti që përmes logjikës së numrave dhe dominimit, po synon thyerjen e kurrizit të administratës publike dhe rrënimin e karrierës profesionale në shtet. Po të ishim pjesë e Këshillit të Evropës, kjo qeveri do të ishte lidere evropiane në shkeljet e kushtetushmërisë, rendit dhe ligjit, si dhe të drejtave të njeriut”, ka shkruar tutje Tahiri.

“E kam thënë në Kuvend shumë herë se nuk mund të bëhet asnjë reformë e administratës shtetërore duke shkelur kushtetutën e vendit tonë, duke shkelur rëndë dhe pamëshirshëm të drejtat e njeriut, duke shkelur çdo parim të SIGMA-s dhe të Bashkimit Evropian dhe duke shkelur edhe vetë MSA-në e Kosovës me BE-në. Qeveritë shkojnë e vijnë, administrata shtetërore duhet të mbesë. Ligji për Zyrtarët Publik fatkeqësisht në mënyrë flagrante i shkel rëndë të gjitha këto”, shkroi Tahiri./arbresh.info/

Lexo edhe:

https://www.arbresh.info/lajmet/kushtetuesja-njofton-kuvendin-se-ligji-per-zyrtaret-publike-nuk-mund-te-dekretohet-as-hyje-ne-fuqi-deri-ne-vendimin-final-te-gjykates/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme