Republika e Kosovës po vazhdon ta kompletojë Ushtrinë e saj.
“Bëhu Ushtar i Kosovës”, është motoja me të cilën Ministria e Mbrojtjes po tenton t’i motivojë të rinjtë kosovarë për tu bërë ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Numri i lartë i konkurseve për rekrutimin e ushtarëve, e numri i ulët i aplikuesve, duket shqetësuese.
Portali arbresh.info ka provuar të kontaktojë me Ministrin e Mbrojtës për të marr një përgjigje se pse nuk po shpallen vazhdimisht konkurse dhe pse po ka mungesë të interesimit të aplikantëve, por nuk ka pasur asnjë përgjigje nga ta.
Por, për këtë ekziston një përgjigje sipas ekspertit të sigurisë, Bedri Elezi.
Ai, thotë se e gjithë kjo ndodh sepse FSK nuk ofron kushte të pranueshme, apo tërheqëse për aplikimin e të rinjve në Ushtri të Kosovës.
“Po siç e keni pa, ka një interesim shumë të vogël sa i përket qytetarëve për të apliku, të rinjve përkatësisht, me apliku në konkurset që Forca e Sigurisë së Kosovës i kanë shpallur. Dhe krejt kjo, sipas mendimit tim, ndodh ngase deri më tani FSK-ja nuk duket se kanë ofruar kushte të pranueshme, apo kushte tërheqëse për avancimin e personave në FSK”, thotë Elezi për arbresh.info.
Në theks të veçantë, Elezi si arsye kryesore vuri pagën, që sipas tij nuk është aspak meritore për një ushtar.
“Po ashtu, FSK nuk ka plotësuar kushtet e nevojshme apo më mirë të themi nuk ka plotësuar standardet e nevojshme që duhet ti ketë një pjesëtarë i saj. Gjithashtu këtu hynë edhe paga e cila nuk është një pagë shumë meritore për të cilën eventualisht një i ri do të kishte parë vetën. Pra, ajo që është shumë me rëndësi”, potencon Elezi.
Elezi: Në FSK nuk ka meritokraci, nuk gradohet dhe nuk vlerësohet asnjë person me mërit
Sipas tij, asnjë person në FSK nuk vlerësohet sa meritohet, duke përjashtuar ata persona që kanë ndikim në politikë.
“Ne jemi të vetëdijshëm që në mesin tonë, në familjet tona, në rrethet tona diskutohet saktësisht se në FSK nuk ka një meritokraci, asnjë person me meritat e tij nuk është graduar madje nuk është vlerësuar, por është ajo që gjithmonë themi nepotizmi që ka avancuar njerëz, ka graduar njerëz në këtë fushë. Dhe duke iu referuar kësaj gjendje faktike atëherë kuptoj që të rinjtë e Kosovës nuk e shohin vetën që të jenë pjesë e një institucioni përpos atyre të cilët me rekomandime të veçanta nga grupet politike apo persona me ndikim në politik të cilët i premtojnë rekrutim dhe gjithashtu i premtojnë edhe avancime tutje”, thotë ai.
Elezi bëri të ditur se ka pas raste kur pjesëtarët e FSK-së janë rekrutuar por më pas janë tërhequr për mos krijimin e kushteve.
“Neve kemi pasur raste me pa edhe shumë pjesëtarë të FSK-së janë rekrutuar dhe kanë vazhduar punën dhe më vonë janë tërhequr pikërisht për mos krijim të kushteve për avancimin në këtë institucion dhe sigurisht që këto informacione kanë rrjedh nga brenda dhe çdo i ri tani më ka një pasqyrë të raportit të sigurisë së Kosovës”, u shpreh Elezi.
Sipas Ekspertit të Sigurisë, për tu sistemuar, rekrutuar e avancuar në ushtri duhet të ketë një lidhje, dhe sipas tij tashmë të rinjtë nuk janë më të interesuar vetëm të mbeten pjesëtar të FSK-së, por edhe të kenë një karrierë ushtarake.
“Dhe e dimë që nëpër institucione të Kosovës fillimisht duhet të kesh një lidhje për të sistemuar, për ti rekrutuar, dhe më pas po ashtu duhet të kesh një lidhje për tu avancuar. Un kujtoj që asnjë i ri nuk do të ishte i interesuar që të mbetet vetëm një pjesëtar i Sigurisë së Kosovës, por do të ishte i interesuar që fillimisht të rekrutohet në FSK dhe më pas të ketë një karrierë ushtarake. Por siç duket pak qytetarë besojnë dhe në fakt kanë të drejtë që besojnë shumë pak që në Forcën e Sigurisë ka një meritokraci dhe njerëzit do të avancohen dhe vlera merret sipas meritokracisë”, shtoi në fund Elezi.
Hamidi: Pagat e ulëta në FSK, janë demotivuese
Një mendim të ngjashëm me Elezin e ka edhe analisti politik, Lavdim Hamidi.
“Mendoj se mos aplikimi i të rinjve në konkurset e FSK-së ndërlidhet kryesisht me pagat e ulëta, të cilat janë demotivuese për të rinjtë që të fillojnë karrierën në Ushtrinë e Kosovës”. Deklaroi Hamidi për arbresh.info.
Tutje, ai e sqaron se sa do të jetë paga e një ushtari me Ligjin e Ri për Pagat.
“Bazuar me Ligjin e Ri për Pagat, koeficienti për kadetët e FSK-së është 2, të cilët bazuar në Pagën Minimale do të mund t’i marrin vetëm 250 euro në muaj, përderisa ushtarët kanë koeficientin 4, të cilët me Ligjin e Ri do të mund të marrin pagë mujore rreth 450 euro, pagë kjo shumë e ulët, krahasuar me inflacionin e lartë në Kosovë, ku shumica e artikujve themelorë për një vit janë shtrenjtuar mbi 30%”, shprehet Hamidi.
Ndryshe, më 5 janar 2023 Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se ka hapur konkurs për pranimin e 612 ushtarëve të rijnë aktiv dhe 388 ushtarë të komponentës rezervë.
Ministri i këtij dikasteri, Armend Mehaj ka ftuar të gjithë të rinjtë e të rejat që të aplikojnë për të qenë pjesë e Ushtrisë së Kosovës.
FSK është ushtria e Kosovës dhe u formua më 1 janar 2009 pas shpërbërjes së Trupave Mbrojtëse të Kosovës e cila deri atëherë ishte një organizatë e shërbimit civil të emergjencës dhe pasardhëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
FSK-ja ndodhet në fazën paraprake drejt formimit të një ushtrie plotësisht funksionale dhe përbëhet nga 10,000 ushtarë aktivë dhe nga 5,000 rezervistë.
Komandat i FSK-së është gjenerallejtënant, Bashkim Jashari ndërsa komandante supreme është presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Konkursi për aplikim për tu bërë ushtar i Kosovës mbetet i hapur deri me 15 janar 2023 ndërsa të drejt aplikimi kanë të gjithë djemtë dhe vajzat nga mosha 18 vjeçe deri në 25 vjeçe./arbresh.info/Ejona Hyseni/
Në Speciale fillon dëshminë Halil Çadraku
Gresa nuk i beson arsyetimit të Drilonit në raport me deklar...
Osmani takoi deputeten britanike, Alicia Kearns
Ministrat e G7-ës takohen në Itali për të diskutuar për konf...
Sulmuesi kosovar po shkëlqen në Rumani
Vendoset gurthemeli i nënstacionit të Policisë së Kosovës në...