Google ADS

MPB: Në fund të janarit fillon furnizimi me material për pasaporta, letërnjoftime dhe patent shofer

10:12 | 10 Janar 2023
E.H

Në Kosova ka mungesë të materialit për dokumentet personale, dhe kjo ka bërë që shumë qytetarë të pësojnë nga kjo gjendje.

Ministria e Punëve të Brendshme për arbresh.info ka thënë se në fund të muajit janar pritet të fillojë furnizimi me material.

“Ministria e Punëve të Brendshme, ju njofton se në fund të janarit pritet të filloj furnizimin me material. Me ketë rast Ministria e Punëve të Brendshme shprehë keqardhje për situatën e krijuar dhe kërkon mirëkuptim nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, deri në zgjidhjen e kësaj çështje”, thuhet në përgjigje.

MPB së fundmi ka lidhur një kontratë me vlerë prej 4 milionë eurove me një kompani gjermane për furnizim me material të tillë.

Në arsyetimin e MPB-së, në kërkesën drejtuar Gjermanisë, ishte thënë se me mungesë të materialeve për dokumente janë duke u përballur edhe shtete të tjera.

Qytetarët e Kosovës tash e disa muaj janë duke u përballur me pritje të gjata për t`u pajisur me dokumente personale si patentë-shoferë, letërnjoftime e pasaporta.

Për shkak të mungesës së materialit për t’u pajisur me pasaporta, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla kishte kërkuar nga shteti i Gjermanisë që të lejojë hyrjen e qytetarëve të Kosovës që u ka skaduar pasaporta.

Sveçla përmes një letre drejtuar autoriteteve gjermane, kishte kërkuar që të lejohen qytetarët e Kosovës të cilët kanë një leje qëndrimi të vlefshme në Gjermani dhe të marrin shërbime me pasaportë të skaduar të Kosovës.

Ai kishte kërkuar që shtetasit kosovarë me leje qëndrimi të vlefshme në Gjermani të mund të kthehen nga Kosova në Gjermani pavarësisht skadimit të pasaportës kosovare./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme