Krerët e partive politike të shqiptarëve në RMV pritet të shkojnë sot në një takim në Tiranë me ftesë të kryeministrit shqiptar Edi Rama.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, tha dje se takimi i sotëm në Tiranë është një takim i Vitit të Ri me qëllim shkëmbimin e mendimeve për çështjet aktuale në rajon dhe për të uruar suksese në vitin në vazhdim dhe apeloi që të mos krijohet “një lloj konspiracioni në lidhje me të”.
Sipas Osmanit, nuk ka agjendë të paracaktuar për takimin, pasi pritet të diskutohet dhe do të jetë një mundësi për të komunikuar dhe shkëmbyer ide, informacione dhe pikëpamje në të mirë të rajonit dhe Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli, dje tha se partia e tij ka marrë ftesë për të shkuar në takim, por shtoi se nuk do të marrin pjesë në të. Ai ka vlerësuar se ky takim është në favor të BDI-së dhe se sa herë që kjo parti ka probleme të brendshme, takime të tilla bëhen në Tiranë.
Ai thekson se kur partitë politike të shqiptarëve kërkuan të ulen në tavolinë për t’u marrë vesh për disa çështje, lideri i BDI-së asnjëherë nuk ka qenë i gatshëm të bisedojë me ta, madje, siç tha ai, i ka fyer në disa media.
Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët kanë konfirmuar për AIM se kanë marrë ftesë për takim dhe se do të marrin pjesë në të, pa specifikuar detaje.
“Ashtu siç u jemi përgjigjur pozitivisht të gjitha ftesave për takime dhe në këtë rast konfirmojmë ftesën, si dhe prezencën tonë në darkën e organizuar nga kryeministri Edi Rama”, thanë për AIM nga Aleanca për Shqiptarët.
Alternativa ka konfirmuar se në takim do të marrë pjesë edhe kryetari i partisë Afrim Gashi, por nuk dihet se çfarë do të diskutohet.
Anisa: Xheneta nuk ka pasë pëlqim të vërtetë ndaj Gjestit, p...
S’ka gola në Ferizaj
Hamza: Bashkatdhetarët në Köln u bashkuan me ne për ta bërë ...
Rama: Fitorja jonë në 2025 duhet të jetë përfundimtare, shpë...
Nga çdo kontinent, Kosova paguan qindra miliona për import t...
Edhe 17 ditë afat për certifikim të partive, ende asnjë apli...