Shtresa mbrojtëse e ozonit po ripërtërihet ngadalë, por dukshëm me një ritëm që do ta mbushte plotësisht vrimën mbi Antarktidë në gati 43 vjet, thotë një raport i ri i Kombeve të Bashkuara.
Vlerësimi shkencor që bëhet një herë në katër vjet zbuloi se shtresa e ozonit është në proces ripërtëritjeje, më shumë se 35 vjet pasi çdo vend në botë ra dakord të ndalonte prodhimin e kimikateve që e dëmtonin atë në atmosferën e Tokës që mbron planetin nga rrezatimi i dëmshëm i lidhur me kancerin e lëkurës, dhe dëmtimin e të korrave.
“Në stratosferën e sipërme dhe në vrimën e ozonit ne shohim se gjërat po përmirësohen,” tha Paul Newman, bashkëautor i vlerësimit shkencor.
Përparimi është i ngadalshëm, sipas raportit të paraqitur të hënën në konventën e Shoqatës Amerikane Meteorologjike në Denver. Sasia mesatare globale e ozonit prej 30 kilometrash e lartë në atmosferë nuk do të kthehet në nivelet para rrallimit në vitet 1980 deri në vitin 2040, thuhet në raport. Dhe nuk do të kthehet në normalitet në Arktik deri në vitin 2045.
Antarktida, ku shtresa është aq e hollë sa që ka një vrimë gjigante, nuk do të rregullohet plotësisht deri në vitin 2066, thuhet në raport.
Shkencëtarët dhe mbrojtësit e mjedisit në të gjithë botën kanë përshëndetur prej kohësh përpjekjet për të riparuar vrimën e ozonit – që erdhi si rezultat i një marrëveshjeje të vitit 1987, e quajtur Protokolli i Montrealit që ndalonte një grup kimikatesh të përdorura shpesh në frigoriferë – si një nga fitoret më të mëdha ekologjike për njerëzimin. .
“Veprimi për të mbrojtur ozonin krijon një precedent për veprimet që duhet të ndërmarrim për klimën. Suksesi ynë në heqjen graduale të kimikateve që dëmtojnë ozonin na tregon se çfarë mund dhe duhet të bëjmë, për t’u larguar nga lëndët djegëse fosile, për të pakësuar gazrat që shkaktojnë efektin serrë dhe për të kufizuar rritjen e temperaturës,” tha në një deklaratë Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore Meteorologjike Prof. Petteri Taalas.
Shenjat e përmirësimit u raportuan katër vjet më parë, por ishin të vogla dhe më paraprake. “Shifrat e rikuperimit tani janë përforcuar shumë,” tha zoti Newman.
Dy kimikatet kryesore që dëmtonin ozonin janë në nivelet më të ulëta në atmosferë, tha zoti Newman, shkencëtari kryesor në Qendrën e Fluturimeve Hapësinore Goddard të NASA-s. Nivelet e klorit janë ulur me 11.5% që kur arritën kulmin në vitin 1993 dhe ato të bromit, i cili është më efikas për të dëmtuar ozonin, por është në nivele më të ulëta në ajër, ra 14.5% që nga kulmi i tij në 1999-ën, thuhet në raport.
“Ka pasur një ndryshim të madh në mënyrën se si shoqëria jonë i trajton substancat që shkatërrojnë ozonin,” tha bashkëdrejtuesi i panelit shkencor David W. Fahey, drejtor i laboratorit të shkencave kimike të Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike në SHBA.
Modelet natyrore të motit në Antarktidë ndikojnë gjithashtu në nivelet e vrimave të ozonit, të cilat arrijnë kulmin në vjeshtë. Dhe dy vitet e fundit, vrimat kanë qenë pak më të mëdha për shkak të motit, por tendenca e përgjithshme është ajo e rikuperimit, tha zoti Newman.
Kjo po “shpëton 2 milionë njerëz çdo vit nga kanceri i lëkurës”, tha drejtoresha e Programit të Mjedisit të Kombeve të Bashkuara Inger Andersen për agjencinë Associated Press.
Raporti paralajmëroi gjithashtu se përpjekjet për të ftohur artificialisht planetin duke vendosur aerosole në atmosferë për të reflektuar rrezet e diellit do të hollonin shtresën e ozonit deri në 20% në Antarktidë./voa
U paraqitën si kosovarë në Angli, Rama u premton regjistrimi...
Kurti mori pjesë në varrimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Behgj...
Arrestohen tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u sh...
Në zonën 60 km/h voziti 117 km/h, policia shqipto gjobë prej...
Hamzën në Hannover dhe Köln: Kosova është shtëpia jonë e për...
Vazhdojnë paraqitjet e mira të Zhegrovës – shpallet lojtari ...