Google ADS

Tirana e lirë për të huajt, më e shtrenjta në Evropë për vendasit

21:39 | 8 Janar 2023
KRG

Tirana është një paradoks për kostot e jetesës, sipas Numbeo, databazës që monitoron çmimet e mbi 11 mijë qyteteve në të gjithë botën.

Kryeqyteti shqiptar renditet i 44-ti ndër 238 qendra kryesore të Evropës në Indeksin e Kostove të Jetesës. Me një vlerësim prej 41 pikësh, jetesa në Tiranë vlerësohet se është 59% më e lirë se sa New Yorku, që merret për referencë. Megjithatë më e shtrenjtë se sa kryeqytetet e tjera të rajonit si Prishtina, Shkupi, Podgorica dhe Sarajeva, duke lënë pas vetëm Beogradin. Por teksa ushqimet, restorantet dhe qiratë janë ndër më të lirat në Europë, këtu hyn në mes edhe paradoksi: për vendasit nuk është fare e lirë. Në fakt, sipas indeksit për fuqinë blerëse, me pagën mesatare një shqiptar është më i varfri në Evropë, duke qëndruar në fund fare të listës.

Një banor i Tiranës ka mundësi të blejë vetëm 30.1% të të mirave dhe shërbimeve që mund të përballojë një amerikan në shtëpinë e tij.

Në publikimin e Indeksit të Kostove të Jetesës për vitin 2023, Tirana rendit më keq se Odesa, Dnipro, Kievi apo Kharkivi, qytete ukrainase në luftë prej gati 1 viti, ku inflacioni ka arritur në 26.5%. Madje në renditjen botërore, fuqia blerëse e shqiptarëve llogaritet e ngjashme me Ruandën, Vietnamin dhe Kolumbinë.

Numbeo shkon aq sa të klasifikojë edhe aspekte të tjera të jetesës, ku ndotja në Shqipëri shihet si shumë e lartë, pronat shumë të shtrenjta krahasuar me të ardhurat, ndërsa siguria dhe shëndetësia marrin një vlerësim mesatar./A2CNN/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme