Google ADS

Moskoordinimi institucional vazhdon t`i lërë me probleme zjarrfikësit

20:51 | 7 Janar 2023
E.H

Zjarrfikësit në Prishtinë por edhe në komunat e tjera e kanë problemin e njëjtë tash e sa vjet.

Ata kërkojnë një komunikim ndërinstitucional që të zgjidhen problemet e tyre.

Me mungesë të buxhetit, stafit, pajisjeve të punës po përballen tash e sa vjet zjarrfikësit e Komunës së Prishtinës.

Sipas ligjit aktual, zjarrfikësit janë nën administrimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e menaxhohen nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent dhe në koordinim me komunat, raporton rtk.

Zjarrfikësit kritikojnë Agjencinë e Menaxhimit Emergjent dhe komunat, për mungesë të stafit, buxhetit, dhe pajisjeve.

“Kjo pika e koordinimit dhe bashkëpunimit mes Agjencisë edhe Komunave na ka pru në këtë situatë ku personeli është shumë i vogël, pajisjet janë të vjetra sidomos automjetet, pra janë dy pikat më kritike që i kemi në brigadën profesionale zjarrfikës dhe shpëtimit vetëm si pasojë e kësaj”, thotë Malë Gashi, zëvendëskomandant i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë.

Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Florian Dushi, tha se duhet të ndryshohet legjislacioni në fuqi.

“Duhet t’i bëhet korrigjim legjislacionit në fuqi dhe të definohet me saktësi autorizimi i së cilës komunë veç e veç në raport me zjarrfikësit, por edhe të definohem përgjegjësitë e këtij agjencioni në nivel vendi”, tha Florian Dushi, drejtor i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme