Që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe vërtetësisë së saj nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 2009-ën, Serbia vazhdimisht ka lobuar për tërheqjen e njohjeve nga shtetet që veçse e kanë njohur Kosovën.
Si dëshmi që “sindromi Kosovë” ka shumë kohë që nuk po i lëshon serbët, janë edhe deklaratat e fundit të Presidentit Vuçiq, i cili para pak ditëve deklaroi se nëntë shtete tashmë veçse e kanë tërhequr njohjen e tyre për Kosovën, ndërsa pritet që edhe shteti i dhjetë ta konfirmojë së shpejti atë, raporton arbresh.info.
Sipas tij, shtetet që e kanë çnjohur Kosovën janë: Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Estwatini, Lybia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Saint Lucia dhe Maldivet.
Pretendimet serbe për çnjohjen e Kosovës nga nëntë apo dhjetë shtete, Qeveria e Kosovës i quan si të pavërteta dhe sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, deklaratat serbe nuk janë vërtetuar as pas diskutimeve me përfaqësuesit e këtyre shteteve të lartpërmendura.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, njofton që nuk ka ASNJË njoftim në MPJD dhe as në misionet e Republikës së Kosovës, rreth pretendimeve të djeshme të presidentit serb se disa shtete paskan tërhequr njohjen. Një pretendim i tillë nuk është vërtetuar as pas bisedave me përfaqësues në nivele të ndryshme të këtyre shteteve, por as pas konsultimit me partnerët e rëndësishëm të vendit tonë.”, thuhet në deklaratën e MPJ-së, të publikuar menjëherë pas lajmit për largimin e njohjeve të Kosovës.
Dikasteri që udhëheq Donika Gërvalla gjithashtu ka theksuar se marrëdhëniet Kosovë-Serbi zgjidhjen e gjejnë te dialogu, e jo tek “kampanjat destruktive”, si dhe bënë thirrje që Serbia të dorëhiqet nga sulmet ndaj Kosovës.
“Çështjet e hapura mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë zgjidhen me dialog dhe jo me kampanja destruktive mediale.
Serbia duhet që urgjentisht të heqë dorë nga sulmet agresive ndaj Kosovës dhe sovranitetit të saj dhe t’i kthehet tryezës së negociatave me në qendër njohjen e ndërsjellët.”, përfundon MPJ-ja.
Ndërkaq, këto pretendime serbe, analisti politik, Lavdim Hamidi i sheh si deklarata të përdorura shpesh nga serbët.
Për Hamidin, fusha në të cilën ka dështuar për së tepërmi Qeveria Kurti, është diplomacia, ku që nga njohja e Izraelit në vitin 2020, nuk ka ardhur asnjë njohje, dhe kjo, sipas tij, i ka krijuar terren ndërkombëtar Serbisë që të pretendojë për largim të njohjeve, të cilat dobësojnë Kosovën.
“Nuk është hera e parë që zyrtarët serb deklarohen publikisht për “çnjohjen” e Pavarësisë së Kosovës nga shtete të ndryshme, përderisa një gjë e tillë vazhdimisht mohohet nga pala kosovare. Dështimi kryesor i Qeverisë së Kosovës është në aspektin diplomatik, ku për dy vite nuk kemi arritur të sigurojmë asnjë njohje të re. Njohja e fundit e Pavarësisë së Kosovës ka ardhur para dy viteve nga shteti i Izraelit, të cilën e kishte siguruar “Qeveria Hoti”. Derisa nuk kemi arritur ta sigurojmë asnjë njohje të re, kemi lejuar që pala serbe të fitojë terren ndërkombëtar dhe të proklamojë “çnjohje”, të cilat “çnjohje” e dobësojnë pozicionin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar”, vlerësoi Hamidi për arbresh.info.
Ai, theksoi se faji kryesor i dobësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, është i ministres Donika Gërvalla, e cila sipas tij, duhet të bashkëpunojë me aleatët për njohje të reja, e jo në ndaljen e “ç ‘njohjeve”.
“Dobësimi i pozicionit ndërkombëtar është disfata më e madhe e Qeverisë së Kosovës në këto dy vitet e fundit, përderisa fatura e këtij dështimi padyshim se i shkon ministres së Jashtme, Donika Gërvalla. Është momenti i fundit që Kosova ta forcojë pozicionin diplomatik në botë, duke bashkëpunuar me aleat strategjik jo vetëm në ndaljen e “ç ‘njohjeve”, por edhe në sigurimin e njohjeve të reja. Me punën e saj dy Donika Gërvalla ka dështuar plotësisht në krye të diplomacisë kosovare”, vlerësoi Hamidi për arbresh.info.
Ndryshe, duke filluar nga presidenti Aleksandar Vuçiq, për të vazhduar me zyrtarët tjerë serbë, i madh e i vogël ka shumë vite që nuk pushojnë së ndaluari me lobimin e tyre për të bindur shtetet e ndryshme për ta çnjohur Kosovën, me arsyetimin kinse Pavarësia është e paligjshme dhe jashtë çdo rregulli ndërkombëtar.
Aktualisht, Kosova deri më tash ka arritur të sigurojë 117 njohje, njohje të cilat kanë ndaluar së rrituri që nga Marrëveshja e Washingtonit në shtator të 2020-ës, kur u sigurua njohja e Izraelit, njohje kjo e ndërmjetësuar nga administrata Trump./Emir Abduramani/arbresh.info/
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...