Eksportet bujqësore në Shqipëri arrijnë nivelin më të lartë, u rritën me gjysmë miliardë lekë gjatë 2022

10:42 | 6 Janar 2023
Vjollca Gajraku

Gjatë vitit 2022, eksportet bujqësore u rritën në vlerën e 55.1 miliardë lekëve duke shënuar nivelin më të lartë të rritjes së tyre në bujqësi. Krahasuar me një vit më parë eksportet bujqësore u rritën në sasi me 15.6% gjatë vitit 2022 dhe në vlerë 18.1% më shumë. Përkatësisht eksportet bujqësore nga 360.7 mijë tonë në vitin 2021 arritën në 416.8 mijë tonë. Ndërsa në vlerë u rritën nga 450 milionë dollarë në 500.8 milionë dollarë.

Produktet më të eksportuara sipas sasisë janë pjeprat dhe shalqinjtë me 18.4%, domatet me 15.5%, kastravecat me 14%, agrumet me 9.8%, zarzavatet me tjera 9.2%, lakrat me 9%, bimët aromatike dhe medicinale me 4.8% dhe mollët e ftonjtë me 3.2%. Ndërkohë produktet më të eksportuara në vlerë janë bimët medicinale dhe aromatike me 23.8% të eksporteve të kategorisë bujqësore, domatet me 15.6%, kastravecat me 12,1% dhe zarzavatet e tjera me 11%.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural krahas investimeve në vepra vaditëse dhe kullimi, në kushtet e krizës nga lufta në Ukrainë, përmes Skemës Kombëtare ka mbështetur me financim fermerët për uljen e kostove të prodhimit duke alokuar 5.1 miliardë lekë dhe mbështetur drejtpërdrejt rreth 48 mijë fermerë. Gjithashtu nëpërmjet programit IPARD vetëm në vitin 2022 janë investuar 19 milionë euro rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese për bujqësinë shqiptare.

Faktorët që kanë ndikuar në rritjen e prodhimit janë puna e fermerëve pavarësisht një viti të vështirë, rritja e ndjeshme e masave mbështetëse nga buxheti shtetit si dhe shtimi i pikave te grumbullimit dhe eksportit.

Sipas statistikave, eksportet e zarzavateve rezultuan me rritjen më të madhe në qarqet me bujqësinë më intensive në vend, si Berat, Lushnjë, Fier e Divjakë, ku sigurohet mbjellje me dy sezone.

Gjeografia e eksporteve bujqësore shqiptare është shtrirë në 78 shtete të botës.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Doganave, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca tha se, eksportet bujqësore shqiptare, kanë përshpejtuar trendin e rritjes në sasi dhe në vlerë. Ambicia e qeverisë shqiptare është që brenda kësaj dekade eksportet e prodhimeve bujqësore të arrijnë në një miliard USD nga 500 milionë USD që janë sot./abcnews.al

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme