Ushtria e Koresë së Jugut konfirmoi se një dron i Koresë së Veriut ka hyrë në zonën e ndalim-fluturimit rreth zyrës presidenciale. Ky është një inkursion i rrallë që ndodhi muajin e kaluar, por që ishte mohuar nga zyrtarët.
Tensionet në Gadishullin Korean u rritën vitin e kaluar, teksa Koreja e Veriut kreu teste të armëve pothuajse çdo muaj, përfshirë edhe testimin e raketës balistike ndërkontinentale më të avancuar deri më tani.
Penjani më 26 dhjetor dërgoi pesë dronë në hapësirën ajrore të Koresë së Jugut. Ky ishte incidenti i parë i këtij lloji në pesë vjet, duke shtyrë Seulin që të kundërpërgjigjej duke ngritur në qiell avionët luftarakë.
Ushtria e Koresë së Jugut veçse ka kërkuar falje, pasi dështoi që të rrëzonte dronët, pavarësisht se zhvilloi një operacion prej pesë orësh. Ushtria jugkoreane u arsyetua se dronët “ishin shumë të vegjël”, prandaj nuk mundi që t’i rrëzonte.
Ushtria jugkoreane vazhdimisht kishte mohuar raportimet se dronët kishin hyrë në zonën kyçe të ndalim-fluturimit, të njohur si P-73, që përfshin qiejt mbi zyrën presidenciale të Koresë së Jugut.
Një zyrtar i ushtrisë tha se hetimi ka gjetur se “një dron i armikut” ka kaluar mbi pjesën veriore të zonës së ndalim-fluturimit.
Megjithatë, javën e kaluar, ushtria jugkoreane tha se Veriu “nuk ka arritur të marrë informacione të rëndësishme” përmes inkursionit me dronë.
Gjatë vitit 2022, Koreja e Veriut raportohet se ka testuar mbi 70 raketa, përfshirë edhe një raketë që kishte flutuar mbi Japoni. /REL/
Bullgaria dhe Rumania, një hap më afër zonës Schengen
“Kam 90 për qind gjasa që s’do mbijetoj”, zbardhet biseda te...
Turqia shkarkon edhe dy kryetarë kurdë
Gjesti rrëfen në detaje se çfarë u bë shkak i ndarjes me Xhe...
Angela Merkel shpreh ‘shqetësim të madh’ për rolin e Elon Mu...
Rritet çmimi i gazit dhe elektricitetit në Britani/ Inflacio...