Google ADS

Klinikat pa terapi, pacientët i blejnë vet ilaçet

22:56 | 4 Janar 2023
E.H

Edhe ky vit i gjeti pa furnizim me terapi shumë klinika të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës.

Pacientët që kërkojnë trajtim në klinika po detyrohen të blejnë vetë shumicën e terapive e deri tek gjërat elementare.

Nga Shërbimi spitalor e Ministria e Shëndetësisë nuk janë përgjigjur nëse këtë vit do të eliminohet ky problem, i cili e ka përcjellë në vazhdimësi shëndetësinë në vend.

Klinikat në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar vazhdojnë të përballen me mungesë të terapive dhe medikamenteve të ndryshme.

Mungesa ka edhe në produkte elementare të trajtimit.

Erolind Muralia, i cili shkoi në qendrën emergjente për ta pastruar plagën, thotë se u detyrua të blejë edhe jod e pambuk, pasi sipas tij, kjo klinikë nuk ishte e furnizuar me medikamente.

“E kam bërë një qepje, ma kanë qepë shumë mirë, por ilaçet i kam blerë vetë. Maksimumi 15 deri në 20 euro janë bërë veç ilaçet”, deklaroi Erolind Muralia.

Edhe një i moshuar tjetër i intervistuar nga RTK thotë se ilaçet duhet me i ble vet edhe pse shpeshherë janë të papërballueshme pasi pensioni nuk i mbulon.

“Po duhet me i ble. Po kushtojnë shtrenjtë boll po çka me ba. Po duhet të gjitha, pensioni i dobët”, ankohet një pacient i moshuar.

Televizioni publik ka adresuar pyetje në adresë të SHSKUK-së për të kuptuar se si qëndron situata me furnizim të terapive, mirëpo ata deri më tani nuk janë përgjigjur.

As nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë kthyer përgjigje për këtë problematikë, e cila vazhdon ta përcjellë sistemin shëndetësor në vend.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme