Gjermania s’e komenton kërkesën e Kurtit për trupa shtesë në KFOR

10:49 | 4 Janar 2023
A. B.

Qeveria gjermane është shprehur e lehtësuar pas shtendosjes së fundit të gjendjes në veri të Kosovës dhe largimit të barrikadave nga rrugët.

“Ky është një sinjal i mirë i të dy palëve, që rezultoi me heqjen e barrikadave nga minoriteti serb në veri të Kosovës”, deklaroi këto ditë në Berlin zv/zëdhënësja e qeverisë Christiane Hoffmann.

Kjo ka rezultuar me hapjen e sërishme të të gjitha vendkalimeve kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, që ishin bllokuar në dhjetor dhe në kohën e festave.

Dialogu duhet të vazhdojë

“Tani duhet të përqendrohemi tek mbështetja e dialogut dhe vazhdimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Këtë është duke bërë qeveria gjermane”, shtoi Hoffmann.

Gjermania mbështet përpjekjet e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian për ndërmjetësim në dialog.

Hoffman dhe një zëdhënës tjetër i Ministrisë së Jashtme nuk deshëm të komentojnë kërkesat e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për dërgimin e më shumë ushtarëve të NATO-s në Kosovë. Hoffmann tha se qeveria gjermane do të koncentrohet edhe më tej në vazhdimin e dialogut dhe zgjidhjen e problemeve me dialog, raporton DW.

Kryeministri Kurti ka deklaruar në një intervistë për gazetën gjermane “Die Welt”: “Forcimi i trupave të NATO-s në vendin tonë do të forconte edhe sigurinë dhe paqen, jo vetëm në Kosovë por në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Forcimi i trupave të NATO-s?

Autoritetet gjermane nuk deshën të komentojnë këtë kërkesë. Por përfaqësuesit e NATO-s kanë qenë të qartë në deklaratat se ata janë në gjendje të kujdesen për paqen dhe sigurinë. KFOR-i është në Kosovë prej vitit 1999 dhe kujdeset për sigurinë e vendit. Rreth 3800 trupat e NATO-s janë garancë e sigurisë në të gjithë Kosovën. Në këtë kontingjent janë edhe rreth 70 ushtarë gjermanë.

Ngjarjet në veri kanë përshkallëzuar pas vendimeve për ndryshimin e targave ilegale, qe ka rezultuar me daljen e serbëve nga veriu nga institucionet e Kosovës, shpalljet dhe pastaj shtyrjen e zgjedhjeve për kryetarë të bashkive në veri, sulmet ndaj përfaqësuesve të Kosovës por edhe atyre të bashkësisë ndërkombëtare, arrestimin e disa personave dhe lirimin në burg shtëpiak, bllokimin e rrugëve dhe heqjen e barrikadave…

Por ajo që më së shumti ka shqetësuar si përfaqësuesit politikë e diplomatikë, ashtu edhe ushtarakë, është retorika luftarake që është dëgjuar në Beograd, ngritja e gatishmërisë luftarake të ushtrisë dhe policisë serbe, por edhe kërcënimet nga autoritetet e Kosovës se do të veprojnë me dhunë në heqjen e barrikadave. Situata në veri tani është e qetë, por problemet kanë mbetur. Berlini tani kërkon vazhdimin e dialogut. /DW

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme