Për deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, viti 2022 ka qenë një vit mjaft sfidues, me zhvillime të shumta që e përcollën vendin, politikën dhe jetën e tij, të qytetarëve dhe të partisë së tij.
Në një intervistë për arbresh.info, Zemaj thotë se përkundër angazhimeve të shumta, parlamentare apo partiake, ai gjithmonë mundohet të gjejë kohë t’i përkushtohet familjes së tij.
Zemaj, theksoi se do të ishte shumë i gëzuar nëse të paktën një herë gjatë muajit do ta kishte një ditë të lirë, pa asnjë aktivitet politik.
Ndërsa, kur ka kohë të lirë, ai thotë se mundohet të shikojë dhe të luaj futboll, të shikojë filma dhe gjithashtu, të lexojë libra.
“Isha gëzu shumë që gjatë muajit ta kem një ditë të lirë, kur nuk e kam asnjë aktivitet, por kur e kam të lirë, më pëlqen të shikoj filma, më pëlqen të lexoj, më pëlqen sporti, jo vetëm vetë si pjesë aktive, por tash edhe si një shikues i devotshëm në kuptimin e përkrahjes. Por sipas kohës dhe hapësirës, takimet me shoqëri, debatet jashtë politikës, njëfarë lloj komunikimi përtej asaj që na duhet ose që e kemi të domosdoshme si pjesë e punës. Kjo është ajo që e karakterizon një ditë jashtë të qenurit në politikë”, tha Zemaj.
Sipas Zemajt, ndonëse me vota nuk reflektohet një gjë e tillë, LDK-ja tradicionalisht në Deçan ka qenë prezentë, dhe lidhshmëria e tij me këtë parti është bërë për shkak të aspiratave të tij për t’u bërë pjesë e politikës nacionaliste, dhe jo vetëm asaj lokale.
Sa i përket kandidimit të mundshëm të tij për kryetar komune në vendlindjen e tij, Deçanit, Zemaj the se njëherë nuk synon një gjë të tillë, meqë sipas tij, ai është më i dobishëm në nivelin qendror, por gjithsesi, në rast se LDK-ja e sheh të arsyeshme, nuk e përjashtoi këtë mundësi.
Përkundër profesionit të tij si jurist, Zemaj theksoi se ai mund të punojë pa asnjë problem në secilin dikaster, përpos ekonomisë dhe financave, ku thotë se aty është më pak i mirë se në drejtimet tjera.
Zemaj për arbresh.info tregoi edhe për kritikat e shumta që janë hedhur ndaj tij në kohën kur ka qenë ministër i shëndetësisë, për të cilat tha se ato kanë qenë vetëm si rezultat i polarizimit të skajshëm të politikës së vendit në atë kohë. Ai theksoi se jo domosdoshmërisht duhet të jesh mjek i mirë, për të qenë edhe ministër i tillë.
“Unë jam i lindur që të funksionojë në sfida, dhe jo në rrethana normale. Në kohën kur unë jam emëru ministër ka qenë një polarizim i madh politik, dhe fokusi opozitar ishte që dikush të bëhej ‘kurban’ ose i ndërrimit të qeverisë ose i sulmeve dhe kjo ishte atraktive për njerëz të cilët nuk kishin mundësi tjera të shprehjeve politike, sepse edhe pas meje kishte pandemi por ato zëra u heshtën. Sot ti mundesh me qenë mjek i mirë, por jo ministër, këtë e kemi parë në 30 muajt e fundit me këtë qeveri. Përkundër sfidave, ajo më e mira është kur në fund të ditës e sheh se ka pasë pak vdekje, pak pasoja dhe shkallë të ultë të infeksionit”, tha Zemaj për arbresh.info.
Deklarata e tij e famshme në Kuvend: “Ti në sy vërehesh që e ki virusin”, që i drejtohej Fitore Pacollit të VV-së, nga Zemaj u komentua si rezultat i sulmeve të shumta të opozitës së atëhershme ndaj tij, dhe si shkak i protestave të organizuara në kohë pandemie nga VV-ja para dy viteve.
“Kjo ka qenë shkarazi, pas një proteste të organizuar atëbotë nga VV-ja, dhe unë thjesht bëja thirrje që të shkojnë dhe të testohen, meqë kanë qenë pjesë e një proteste dhe i janë ekspozuar virusit. Kjo ka qenë dinamika e shtuar, por jo që kisha ndonjë aftësi mbinjerëzore që t’i identifikoj njerëzit, ajo ishte pak më shumë edhe kontakt jashtë mikrofonit, por opozita nganjëherë të merr për atë ‘majën e gjuhës’ dhe tenton ta përdorë në kuptimin tjetër politik.”, komentoi Zemaj për arbresh.info.
Sipas Zemajt, gjendja në veriun e Kosovës, tani është më e keqe se para vitit 2008, kur u shpall pavarësia. Sipas tij, është krijuar një situatë ku Serbia po paraqitet si viktimë. Gjithë këtë ai e konsideroi si paaftësi menaxhuese të qeverisë.
Zemaj gjithashtu theksoi se as kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e as Isa Mustafa, nuk i afrohen kryetarit historik të tyre, Ibrahim Rugova.
Ai tha se të gjithë tjerët mundohen ta përcjellin vizionin e tij, por duhet të jenë të kënaqur me aq, pasiqë sipas tij, Rugova nuk përsëritet.
Po ashtu, ai tha se me presidenten Osmani, që nga momenti i ndarjes me LDK-në, nuk kanë pasur më asnjë kontakt miqësor apo më të afërt, përjashto ato takimet institucionale që bëhen.
Në vitin 2023, deputeti Zemaj tha se nga ai mund të pritet vazhdimi i punës që ai ka bërë edhe këtë vit, si deputet i përgjegjshëm, duke i shfrytëzuar gjitha kapacitetet që ai posedon.
Në fund, Zemaj në këtë intervistë uroi shëndet për gjithë qytetarët e Kosovës, si dhe suksese për ta, në mënyrë që të gjithë ta zhvillojnë të ardhmen e tyre brenda vendit të tyre./Emir Abduramani/arbresh.info/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...