Intervistë me ish-deputetin Zafir Berisha, rrëfen për jetën private dhe planet për të ardhmen

15:03 | 1 Janar 2023
A Z

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Zafir Berisha, në një intervistë për arbresh.info, ka treguar më shumë rreth jetës së tij private, historisë së tij, deklaratave interesante dhe planet për të ardhmen.

Berisha ka thënë se dita e tij nis me një kafe të mëngjesit në lagjen e tij, gjatë ditës përkushtohet për familjen e tij, biznesin privat dhe aktivitetet e ndryshme me shoqëri, meqë tashmë është më pak i angazhuar me politikë.

Berisha rrëfeu për mungesën dhe shqetësimin e familjes së tij, veçanërisht nënës, gjatë kohës sa ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe theksoi se tani i kushton më tepër kohë familjes, meqë më herët nuk ka mundur për shkak të angazhimeve të shumta, siç thotë ai, me situatat e ndryshme politike në vend.

“Zafa”, siç quhet në Prizren, tregon se shumë shpesh vendos që ta vizitojë fshatin e tij të lindjes, Billushën, si vend ku kryqëzohet nostalgjia dhe dashuria e tij për fëmijërinë dhe njerëzit me të cilët është rritur.

Ai tha se gjatë kohës së lirë del shpesh me shoqëri dhe gjuan me armë, me gjahtarin si pasion i tij i kamotshëm.

Ai e rifreskoi atë që kishte thënë para dy viteve, se “Interesant dhe lajm është Zafa me u pa me viloinë, e jo me u pa me armë në mal”.

Si një ndër njerëzit kryesorë të UÇK-së në Prizren, Berisha kujtoi aktivitetet e tij të paraluftës kundër okupatorit serb, të cilat sipas tij kanë qenë një lloj përgatitje për luftën frontale që shpërtheu në vitin 1998 dhe u krye më 12 qershor 1999.

Ai gjithashtu theksoi se është kthyer nga Perëndimi me një synim të vetëm, lirinë e Kosovës, dhe deklaroi se ai dhe shokët e tij janë po ata të njëjtit nëse sërish vie puna për të luftuar kundër pushtuesit serb.

Sipas tij, momentet më të sikletshme të luftës ishin atëherë kur i ranë shokët në altarin e lirisë.

Arbresh.info bisedoi me të edhe për Gjykatën Speciale, për të cilën tha se edhe në kohën kur ka qenë deputet ka qenë kundër kësaj gjykate, e cila sipas tij është gjykatë e cila zë fill në Serbi, dhe është tendenca e fundit e Serbisë për ta luftuar Kosovën.

“Gjykata Speciale është produkt i lobimit serbo-rus, me dosje të përgatitura në kuzhinat e Beogradit, me ndihmën e argatëve të Serbisë në Kosovë dhe për vetë faktin se ne kemi qenë në luftë me Serbinë dhe gjykata merret me dosjet që i ka përpiluar Serbia, natyrisht se kjo gjykatë është politike dhe është tendenca e fundit e Serbisë për ta luftuar Kosovën.”, tha Berisha për arbresh.info.

Ai u përkujdes që gjithashtu të rrëfejë edhe për momentet e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ku Berisha në atë kohë ishte deputet dhe një ndër nënshkruesit e deklaratës së pavarësisë.

Ai theksoi se gjatë momenteve kur po lexohej deklarata, atij iu kujtua jeta e tij qysh prej fëmijërisë, rritja e tij në frymë atdhetare, lufta dhe gjithë përpjekjet e tij gjatë kohës sa ishte pjesë e UÇK-së.

Për deklaratën e tij se ai është i gjatë 1,83cm gjatë kohës kur u zgjodh si drejtor i sigurisë kibernetike, Berisha për arbresh.info theksoi se ajo deklaratë erdhi në formë ironie për sulmet që i drejtoheshin atij për faktin se u zgjodh në atë pozitë, dhe gjithashtu vendosi t’i qëndrojë besnik asaj deklarate, duke thënë se ai vazhdon ta ketë atë gjatësi trupore.

“Meqë më shumë merreshin atëherë me mua sesa me kryeministrin e atëhershëm, ajo deklaratë ka qenë në mesin e përpjekjeve të mia që gjithë atë mllef patologjik të inspiruar edhe nga Serbia kundër meje, edhe nga njerëzit të cilëve me kaçavidë nuk ia gjen trurin dhe të cilët nuk e kanë pas idenë se çfarë pozite kam unë, pra ka qenë një deklaratë që këtë situatë me kalu me sportivitet. Unë e kam ditë çka po them, çka po veproj, thjesht këtyre njerëzve u dashtë me iu përgjigj me pak humor, megjithatë unë vërtet jam një metër e 83 centimetra”, ripotencoi Berisha.

Përkundër se ai njihet si një ndër kritikët e ashpër të Qeverisë Kurti, ai tha për arbresh.info se ministri i tij i preferuar është Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

”Unë me thënë të drejtën njëfarë simpatie jam duke e krijuar për Ministrin e Mbrojtjes, për të cilin në fillim nuk e kam pasë, megjithatë, mundi i tij, puna e tij dhe mesazhet e tij duket se po mbesin në hije për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të Qeverisë.”, tha Berisha.

Në fund ai thekoi se ka për synim rikthimin në Kuvendin e Kosovës, sepse, sipas tij, ai ka ende çka t’i jep vendit, si dhe uroi që viti 2022 të mos përsëritet më për Kosovën për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur.

Mesazhi i tij për fund ishte që të gjithë duhet ta vendosin Kosovën në rend të parë, e më pas çdo lloj interesi tjetër./EmirAbduramani/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme