Lirisht mund të themi se është një nga deputetet më elegante të Kuvendi të Kosovës.
Ajo është e njohur për të gjithë si deputetja më simpatike e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Fjala është për Ariana Musliu-Shoshi.
Si një grua model për të gjitha vajzat e grat e vendit, Musliu-Shoshi për arbresh.info ka rrëfyer në detaje për përditshmërinë e saj, familjen, angazhimet në punë e profesion e shumë çka tjetër që deri tash nuk kemi ditur për të.
Jeta për deputeten Musliu-Shoshin sa vjen e po zbukurohet, po aq edhe po vështirësohet.
Ditën ajo e nis në ora 05:30 bashkë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj.
“Tani me dy fëmijë është pak më vështirë, posaçërisht me bebe. Dita jem fillon në orën 05:30 në mëngjes, sepse ajo është koha kur beba ime zgjohet nga gjumi. Pastaj në orën 07:00 e kam Norin, i cili duhet të jetë në shkollë në orën 08:00.
Merrem me djalin e madh, e bëjë gati dhe më pas vazhdoj lexoj lajmet ditore se çfarë është duke ndodh. Më pas një përmbledhje ditore që e bëjë të lajmeve, pastaj shikoj agjendën time se çfarë kam atë dit. Provoj të aranzhoj se kush do të kujdeset nga familja ime ose e Meritonit për beben. Dhe pastaj filloj zakonisht me mbledhjet në Kuvend. Ndonjë takim që e kemi ose si parti ose me komisionet parlamentare. Në ditëve të ënjta zakonisht i kemi seancat. Të enjteve thuajse tër dita është në seanca”, thotë Musliu-Shoshi.
Ariana sa ishte në pritje të ëmbël i kishte munguar jo vetëm televizionit në debate, por edhe në tubime me përkrahësit dhe simpatizuesit e partisë së saj.
Siç edhe duket, deputetja opozitare Ariana Musliu-Shoshi është mjaftë aktive në punën e saj të përditshme, e rrallë herë pothuajse farë nuk e kemi parë atë jashtë Kuvendit të Kosovës.
A është vështirë të jesh fytyrë publike sipas deputetes Musliu-Shoshi?
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi na tregon më shumë se sa i është vështirësuar jeta pasi u bë fytyrë publike si dhe sa gjen kohë për familje, fëmijë e shoqëri.
“Në fakt para se të jem në jetën publike ka qenë shumë më e lehtë që të kem kohë më shumë për vetën, të kem kohë më shumë për familjen, të kem kohë më shumë për shoqërinë. Tani po kalojnë muaj të tërë dhe unë nuk po arrij që ti takoj shoqet e mija. Nuk arrijmë që të kemi për kafe për neja më njëra-tjetrën ose në shtëpi të atyre ose në timen, sepse tani thuajse në 90 për qind të gjitha janë me fëmijë, disa të vegjël disa pak më të rritur. Mirëpo e shoh që ato mblidhen dhe unë nuk kam kohë që të jem pjesë e asaj kënaqësisë që e kemi pas gjithmonë mandej edhe kur del edhe në mbrëmje por edhe ditën kur je fytyrë publike është pak më ndryshe. Pra nuk je më e lirë që të bisedosh, që të kesh atë rehatinë që e ke pas më herët në vende publike dhe e shoh që kjo pjesë bajagi shumë më mungon pra që të kem kohë të lirë dhe të kaloj me shoqet e mija ashtu siç kam bërë më herët”, u shpreh Musliu-Shoshi.
Ajo thotë se maksimumin e kohës së lirë të saj mundohet t’ia kushtojë familjes.
“Ndërsa sa i përket familjes, provoj që maksimumin e kohës sa e kam të lirë gjithmonë ta kem në prioritet nëse mund të them të rehatoj shtëpinë dhe familjen time dhe pastaj të merrem me aktivitete të tjera ditore të cilat nuk janë të pakta”, tha Musliu-Shoshi.
Pas një gruaje të suksesshme siç është Musliu-Shoshi, qëndrojnë një mori profesionesh që ajo i posedon.
Me cilin ministër të Kurtit ishte në të njëjtin grup në fakultet deputetja Musliu-Shoshi?
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi na tregon se njërin nga ministrat e “Qeverisë Kurti2” e kishte në grup në njërin nga disa fakultete që ajo ka përfunduar.
Për arbresh.info, deputetja e PDK-së, na tregon se në fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin “Hasan Prishtina” në Prishtinë ishte në grupin e njëjtë me ministrin e Financave, Hekuran Muratin.
“Tani unë i kam disa profesione. Kam mbaru fakultetin e Shkencave Politike në Universitet të Prishtinës. Në të njëjtën kohë kam përfunduar edhe Universitetin Amerikan, pra me degë të veçantë në ekonomi. Këtu më lejo të theksoj që kam qenë katër vite në të njëjtin grup me ministrin Hekuran Murati, dhe pastaj kamë bërë administrim në master”, shprehet Musliu-Shoshi.
Po ashtu, ajo thotë se ka përfunduar masterin në Universitetin Amerikan në Nju Jork si dhe masterin për diplomaci dhe politikë të jashtme në Universitetin e Oxfordit.
“Kam qenë në një master fondacion prej USAID-it dhe këtë e kam përfunduar në Universitetin Amerikanë në bashkëpunim me AIT që është në Nju Jork, dhe pastaj kam vazhduar një master tjetër për diplomaci dhe politikë të jashtme në Universitetin e Oxfordit. Tani jam duke shpresuar që të vazhdoj edhe doktoraturën, sepse jam e pranuar edhe në doktoraturë, mirëpo shumë obligime në punë, shumë obligime në familje dhe po shpresoj që posa të rritet pak Roni do të merrem me këtë pjesë”, bëri të ditur Musliu-Shoshi.
Ajo na tregon edhe për raportet që ka me koleget e saj deputete.
Musliu-Shoshi thotë se posedon raporte shumë të mira me të gjitha gratë e Kuvendit të Kosovës nga të gjitha grupet parlamentare.
“Në fakt të gjitha marrëdhëniet i kam jashtëzakonisht të shëndosha jo vetëm më gratë që janë në subjektin tim politik por edhe me objektet e tjera politike, pra edhe nga LDK-ja edhe nga AAK-ja edhe nga VV-ja edhe nga të partisë sime, që shihemi në baza ditore do të thoja që me secilën nga ato kam marrëdhënie jashtëzakonisht të mira të shëndosha shoqërore”, theksoi Musli-Shoshi.
Cili është hobi i deputetes simpatike të PDK-së?
Para se të bëhej nënë për herën e dytë, deputetja tregon se tri deri në katër herë në javë shkonte në fitnes. Por pas lindjes së Norit zhvillimi i këtij hobi iu pamundësua.
“Hobi para se me e lindë Norin e kam pas fitnesin, pra thuajse 3 deri në 4 herë në javë kam qenë aktive në mëngjes zakonisht nga ora 06:30 deri në ora 07:30. Mirëpo tani nuk e kam as edhe një hobi të vetëm sepse nuk gjejë kohë. Sinqerisht është beba shumë e vogël dhe nuk kam kohë. Përveç kësaj zyrtares që e bëjë nuk kam kohë të merrem as edhe me vetën më shumë”, tha tutje deputetja e PDK-së.
Pavarësisht punës së stërngarkuar që bënë, Musliu-Shoshi potencon se fëmijët i ka primarë dhe domosdo gjen kohë për të iu kushtuar atyre.
“Fëmijët i kam primarë. Në fakt ata du me i pas do të thoja të kompletum për tërë ditën se çfarë hanë, t’i bëjë gati. Do të thotë Norin se Ronin e kam vetëm me qumësht. Mirëpo përkujdesem që ata t’i kenë të gjitha kushtet e plotësuara që iu duhen atyre brenda ditës. Pra, çdo ditë fillon me fëmijët e mi dhe përfundon me fëmijët e mi dhe preferoi që ata t’i kem prioritet, t’i plotësoj të gjitha kushtet për ta dhe pastaj të merrem me punë të tjera”, shprehet ajo.
Musliu-Shoshi komenton fotografinë e saj që u bë virale me djalin e vogël në krahë në mbledhjen e Komisionit Parlamentar
Menjëherë pas lindjes së djalit të dytë, deputetja e PDK-së kishte marrë pjesë në një nga Komisionet Parlamentare në Kuvendin e Kosovës.
Me vete kishte marr edhe djalin e saj disa javësh.
Kjo fotografi u bë virale, dhe reagimet ishin të ndryshme. Ani pse shumica e panë si diçka të bukur që tregon përkushtimin e Musliu-Shoshit në punën e saj si deputete, por edhe si një nënë e mrekullueshme.
Ajo na tregon se si dhe pse ishte “detyruar” ta marrë me vete djalin disa javësh pikërisht atë ditë, ani pse thotë se nuk ka qenë hera e vetme që djalin e kishte marr me vete në Kuvend.
Deputetja e PDK-së, thotë se këtë nuk e ka bërë për marketing, e as për ndonjë qëllim tjetër, por ishte e detyruar.
“Në fakt, atë ditë që e kam marr nuk është veç një mbledhje që e kam marr. Unë e kam marr Ronin se punën e kam fillu pas katër dite këtu edhe unë e kam marr Ronin në shumë mbledhje sepse ka qenë shumë i vogël dhe nuk është se kam pasur dikë që është përkushtuar për të sepse e dimë se të gjithë i kanë obligimet e veta. Pra, në kohën kur familjarët e mi dhe familjarët e familjes së Meritonit nuk kanë pasur kohë të merren me Ronin, atëherë unë e kam marrë djalin me veti. Atë ditë në fakt ka qenë një mbledhje ad-hoct që u dashtë patjetër të jem edhe gjatë kohës së paradites sa un isha në Kuvend mami im ishte në kujdesej të Ronit. Edhe pastaj kur më lajmëruan mami nuk kishte mundësi sepse edhe ajo është në punë. Edhe të familjes së Meritonit të gjithë ishin të zënë, kështu që u detyrova ta marr me veti”, u shpreh Musliu-Shoshi.
Që ka pasur reagime të shumta e pranon edhe Musliu-Shoshi, madje ajo i tregon se cilat kanë qenë ato reagime që e kanë “vrarë” më së shumti rreth komentimit të asaj fotografie.
“Nuk është që në fillim do të thosha e kam marr me qëllim që ta përdori për marketing, edhe të njihem si gruaja e parë që e merr fëmijën e vetë, nuk ka qenë në mendjen time fillimisht. Mirëpo, e shoh që pastaj kanë qenë reagimet jashtëzakonisht pozitive nga gratë pozitive edhe nga vajzat. Më ka vra jashtëzakonisht shumë që ka pas edhe prej atyre grave, të cilat do të thoja kanë fëmijë dhe janë të martuara dhe kam pa shumë komente që kanë qenë mjaftë kritikuese dhe ofenduese ndaj tyre. Kjo është pjesa që më shumë më ka dhimtë, por fatmirësisht më shumë ka qenë numri i grave, burrave dhe i vajzave që më kanë përkrahë dhe e kanë gjetur veten në një pjesë që nuk e kanë ditë që ka mundësi që të bëhet dhe e kanë parë që edhe pse je nanë edhe pse me obligime të shumta mund ta marrësh fëmijën me vete dhe mund të kryesh punë”, thekson Musliu-Shoshi.
Në prag të fundit të vitit 2022 deputetja Musliu-Shoshi kujtoi një nga momentet që i kishte mbetur peng e që shpreson ta realizoj gjatë vitit 2023.
“Në fakt nga viti 2022 më ka mbet peng edhe dëshirë që t’i takoj strukturat edhe mbështetësit e mi për shkak se isha shtatzënë dhe jo gjithmonë isha me shëndet të mirë që të kem mundësi të dal dhe të kaloj kohë me ta. Mirëpo shfrytëzoj rastin që ti falënderoj të gjithë sepse kanë qenë jashtëzakonisht të kujdesshëm ndaj meje. Më kanë shkru mesazhe disa prej tyre edhe kanë ardhë më kanë pa në shtëpi. Kështu që pjesa që më ka mbet peng në vitin 2022 dhe shpresoj që shumë shpejt në vitin 2023 do të jem më shumë aktive në kontakt me strukturat e partisë po ashtu edhe me dashamirët me miqtë, dhe të gjithë ata që më përkrahin në punën time”, deklaroi Musliu Shoshi.
Ajo shtoi se peng i ka mbetur edhe disa nisma legjislative që shpreson se do ti realizoj gjatë 2023-ës.
Ndërsa krejt në fund, Ariana Musliu-Shoshi ka një urim për qytetarët e Kosovës.
“Të gjithë qytetarëve të Kosovës ju uroj së pari shëndet sepse kur e ke shëndetin e ke gjithë lumturinë e botës. Ju uroj shumë sukses, ju uroj shumë fat, lumturi dhe gëzime në jetën e tyre por në veçanti në vitin 2023”, tha ajo në fund.
Ariana Musliu-Shoshi është deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Ajo është e lindur në Prishtinë dhe shkollimin fillor e kreu në Skenderaj dhe Prishtinë. Deputetja e PDK-së është e martuar dhe ka dy fëmijë, Norin dhe Ronin./arbresh.info/ Ejona Hyseni/
Kosova dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë Memorandumin e M...
Haradinaj: Të tjerët japin grante për familjarë, ne do të ul...
Vullneti thotë se po e qetëson ezani brenda shtëpisë së Big ...
Mes shumë mungesash, Foda zgjedh 11-shen ndaj Lituanisë
Osmani e ambasadorët diskutojnë për hapat e integrimit të Ko...
“Edhe katër investime të mëdha në stadiumet e futbollit” – Ç...