I vendoset tritol banesës së një polici në Shkodër, dëme të shumta materiale

15:24 | 30 Dhjetor 2022
A. B.

Një shpërthim me tritol është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Shkodër.

Në shënjestër mësohet ka qenë shtëpia e një efektivi policie, i identifikuar si Valter Serra.l.

Nga shpërthimi raportohen vetëm dëme materiale, është dëmtuar automjeti i tij tip “Volkswagen” dhe një pjesë e banesës.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Bardhaj të njësisë Rrethina, ndërsa janë të paqarta arsyet e kësaj ngjarje por policia dyshon se ngjarja ka ndodhur për shkak të detyrës.

Policia dhe grupi hetimor po merren me zbardhjen e rrethanave të ngjarjes ndërsa do të jetë dëshmia e policit që do të hedhë dritë mbi ngjarjen.

“Më datë 30.12.2022, rreth orës 02:00, në fshatin Bardhaj, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, para banesës së shtetasit V. S., me detyrë punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Shkodër”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Si pasojë është dëmtuar automjeti tip “Volkswagen” në pronësi të këtij shtetasi dhe janë shkaktuar dëmtime të lehta në banesën e tij. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje. Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, nga veprimet e para hetimore, ka siguruar prova që do të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, njofton policia. /tch/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme