Shumë spitale në Gjermani presin probleme të mëdha financiare në vitin 2023. Kjo mund të çojë në një valë falimentimesh. Ato nuk po mund të përballojnë rritjen e çmimeve.
“Klinikat tona po përballen me një valë të mundshme falimentimi që do të jetë e pamundur të ndalet”, thotë presidenti i Shoqatës Gjermane të Spitaleve (DKG), Gerald Gass, në një intervistë për Rrjetin editorial gjerman (RND). Ai beson se në shumë rajone kjo valë falimentimi do të çojë në një “rënie të ndjeshme” të nivelit të kujdesit shëndetësor për qytetarët.
Gass i referohet sondazhit të rregullt vjetor të kryer nga DKG me drejtorët e klinikave gjermane, sipas të cilit 59 për qind e spitaleve në Gjermani presin që këtë vit (vitin 2022) ta mbyllin me humbje. Vitin e kaluar, kjo përqindje ishte dukshëm më e ulët me 43 për qind. Rrjedhimisht, përqindja e spitaleve që presin një bilanc pozitiv financiar në fund të vitit u ul nga 44 në 20 për qind brenda një viti. Vetëm 17 për qind e drejtuesve të klinikave të anketuara vlerësojnë se gjendja do të përmirësohet vitin e ardhshëm.
Gass vlerëson se fondet financiare të spitaleve, për të cilat qeveria gjermane njoftoi se do të ndihmojë në tejkalimin e kostove të rritura të energjisë, janë “të dobishme, por jo të mjaftueshme”. “Kjo ndihmë nuk mund të zbusë problemet strukturore me të cilat përballen klinikat gjermane për shkak të inflacionit, që ka rezultuar me rritje të çmimeve në të gjitha fushat. Pandemia e koronës ka treguar se është e nevojshme të kemi një sektor të fortë klinik dhe ka dëshmuar nevojën e mbulimit territorial të kujdesit mjekësor. “Ne nuk mund t’i lejojmë vetes të kemi mbyllje të klinikave,” tha Gass.
Mungesa kronike e stafit profesional
Kokëçarje të tjera u shkakton drejtuesve të klinikave gjermane edhe mungesa kronike e stafit, veçanërisht në fushën e kujdesit mjekësor. Në sondazhin e DKG, 90 për qind e spitaleve raportojnë se nuk janë në gjendje të plotësojnë pozicionet vakante. Aktualisht spitaleve gjermane u mungojnë 20.600 punëtorë në të gjithë sektorët./DW
“Komorani dhe Tirana”, Vullneti ngacmon Drilonin për Sarën
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për...
Nisma sot mban konventën për prezantimin e programit dhe kan...
“Gati shqipe!”, Rama, sot takim me shqiptarët në...
Horoskopi, çfarë parashikojnë yjet për ju
Stuhitë shkaktojnë kaos në Irlandë, Francë dhe Britani të Ma...