Haxhiu thotë se Vetting do të ketë edhe në sistemin e sigurisë: Sfidë sigurimi i votave të Listës Serbe

10:06 | 27 Dhjetor 2022
A Z

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka paraqitur pakon e dokumenteve për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar.

Ajo tha se sistemi i drejtësisë është shtyllë kryesore e funksionimit demokratik të një shteti, dhe si e tillë ka qenë e nevojshme procesi i Vettingut.

Në Komisionin Ad-hoc për zhvillimin e procesit të vlerësimit kalimtar, që ndryshe njihet edhe si Komisioni i Vettingut, Haxhiu ka thënë se janë marrë për bazë rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Ajo tha se ky proces ka qenë ndër objektivat kryesore të kësaj qeverie.

“Ne patëm kërkuar që ta kemi një opinion nga Venecia dhe opinioni i tyre ndonëse nuk e përkrah 100 për qind atë që e ka propozuar Qeveria për një Vetting të përgjithshëm zë sistemit të drejtlsisë, ne megjithatë kemi marrë për bazë ato vërejtje. Jemi pajtuar me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe e dimë që këto rekomandime nuk janë të obligueshme, ne e kemi bërë këtë, madje në seancën e Komisionit të Venecias ku u diskutua Projektligji për Byronë Kosovare të Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, morëm fjalë të mëdha nga komisioneri, i cili deklaroi se Kosova është shembull i marrje së rekomandimeve të Komisionit të Venecias”, tha Haxhiu.

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, tha se procesi i Vettingut është një ndër proceset më të rëndësishme për sistemin e drejtësisë. Por krahas kësaj, Qalaj kërkoi Vetting edhe për sistemin e sigurisë.

Por ministrja Haxhiu tha se një Vetting edhe për sistemin e sigurisë është në plan-program të kësaj Qeverie. Tha se me këtë po punon Ministria e Punëve të Brendshme.

“Është më e lehtë dhe siç e dini ne e kemi në program edhe Vettingun në sistemin e policisë. MPB është duke punuar në këtë drejtim dhe rrethanat në veri ka bërë që mos të dakordohemi më shumë në këtë proces. Është më lehtë sepse nuk ka nevojë për ndryshime Kushtetuese”, tha ajo.

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, pyeti nëse janë duke punuar në atë drejtim për të siguruar votat e deputetëve joshumicë për të votuar ndryshimet Kushtetuese, raporton EO.

Për këtë, Haxhiu tha se do të jetë goxha sfiduese por që kërkoi ndihmën edhe të partive opozitare dhe bashkësisë ndërkombëtare./eo

 

Të ngjashme