Ish-drejtori i Spitalit të Pejës, Muhamet Haliti ka reaguar pas shkarkimit të tij nga detyra duke thënë se nuk është përgjegjës për rastin e foshnjës së vdekur.
Në reagimin e tij përmes një postimi në Facebook, Haliti ka bërë të ditur se për shkarkimin është njoftuar nga faqja zyrtare e Spitalit të Pejës.
Ai është shprehur i befasuar që një vendim i tillë është marrë gjatë shfrytëzimit të ditës së vikendit, pasi siç ka thënë, vendimet nuk mund të merren në vikend.
“Vendimet nuk mund të merren në vikend, meqë Zyra e Protokollit dhe e Vulës është e mbyllur e njoftimi për shkarkim pa vendim zyrtar konsideroj se është shkelje ligjore”, ka shkruar Haliti.
Ai tutje ka thënë se rasti me foshnjën e vdekur në këtë spital nuk përputhet aspak me përgjegjësitë dhe detyrat e drejtorit mjekësor.
Sipas tij, në rastin në fjalë personeli mjekësor nuk e ka neglizhuar rastin, por ka kryer ekzaminimin e pacientës, e ka operuar me kohë, ia ka dhënë terapinë po ashtu me kohë dhe gjithçka lidhur me të është dokumentuar.
“Deri sa drejtori mjekësor është përgjegjës i punës së mjekëve, e në rastin në fjalë personeli mjekësor nuk e neglizhoi rastin duke e përfunduar kujdestarinë atë natë me përgjegjësi të plotë. Pacientja e pranuar është ekzaminuar, ajo dhe familja janë njoftuar për frytin e vdekur, pacientja është operuar me kohë, terapinë e ka marrë me kohë, gjithçka lidhur me rastin është dokumentuar dhe pacientja e pajisur me fletëlëshim është liruar në gjendje të rregullt”, ka thënë ai.
Po ashtu, ka sqaruar se foshnja e vdekur gjatë intervenimit kirurgjik i është dorëzuar mamisë që e njëjta të vazhdojë me procedura tjera.
Haliti mes tjerash ka treguar se kush janë përgjegjësitë kryesorë të këtij rasti për të cilët ka thënë se ndaj tyre drejtori ekzekutiv nuk ka ndërmarrë asnjë masë.
“Theksoj prapë se ky rast nuk është përgjegjësi e punës së mjekut. Kjo përgjegjësi bie drejtpërdrejtë mbi ushtruesin e detyrës të drejtorit të administratës Z.Selman Kelmendi. Shefit të shërbimit Teknik Z. Ardian Shala dhe mbikëqyrësit të higjienës Z.Hysë Kastrati. Ndaj të cilëve drejtori ekzekutiv nuk ka ndërmarrë kurrfarë masa për shkak të bindjes politike dhe farefisit që ka me përgjegjësit kryesorë”, shtoi tutje Haliti.
“Pra kjo është hierarkia e shërbimit teknik dhe shërbimi teknik është përgjegjës për punëtorët fizikë, pastruesit dhe punëtorët e lajtores së spitalit. Rasti ka filluar me marrjen e foshnjës nga pastruesi i cili është i suspenduar për shkak të pakujdesisë së tij, e ka dërguar ne lajtore ku prapë nga pakujdesia e punëtorëve në lajtore ka përfunduar ky rast”, u shpreh ai.
Haliti ka hedhur akuza në drejtim të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se ka ndërhyrë politikisht në shkarkimin e tij.
“Besoj se në këtë shkarkim të padrejtë timin ka ndërhyrje politike pasi që përgjegjësi kryesorë është Z.S.Kelmendi e që është një militant i partisë politike VV, ndërsa shefi I shërbimit teknik është kushëri i afërt i drejtorit ekzekutiv, prandaj në papërvojën e menaxhimit të drejtorit ekzekutiv z.Fazli Shala dhe i ndikuar nën presion e partisë politike duke filluar nga drejtoresha e SHSKUK-së dhe ushtruesja e detyrës së Ministres së Shëndetësisë është detyruar të marrë këtë vendim për ta shfajësuar përgjegjësinë e tyre morale për dorëheqje”, potencoi ai.
Në fund, Haliti ka paralajmëruar se në këtë vendim do të bëjë ankimim ligjor dhe “shpresoj që drejtësia do të marrë vendimet e duhura”.
Kujtojmk se një foshnjë, e cila lindi e vdekur, ditë më parë, përfundoi në rrobalarësen e Spitalit të Pejës, pasi stafi dyshohet se nuk i ka zbatuar procedurat e protokollit.
Babai i foshnjës ka treguar se e ka parë personelin mjekësor teksa i nxirrnin nga rrobalarësja pjesët e trupit të saj.
Ai ka thënë se stafi i spitalit ka kërkuar që rasti të mos lajmërohet në polici. Për këtë është hapur rast hetimi, ndërsa me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë nga puna është larguar kryeinspektori shëndetësor e Spitali i Pejës ka shkarkuar disa zyrtarë./arbresh.info/
SHBA përgatit transferimin e pushtetit; Mekanizmi i ka fille...
Musliu pas organizimit në Skenderaj: Drenica gjithmonë ka di...
Shqipëria e rrezikshme në fund të pjesës së parë, por s’ka g...
Gjesti i mërzitur – qëndron vetëm në dhomën e ndejës
Haradinaj të dielën në Gjermani, prezanton programin e parti...
Një anëtar i shtabit teknik të Hungarisë në gjendje të rëndë