Arrestimi i ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Pantiq në Jarinjë ka nevrikosur serbët në veri të Mitrovicës
Këta të fundit tash e 13 ditë kanë bllokuar rrugët që të dërgojnë për në dy pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.
Por, shpërthime, protesta e kërcënime po vazhdojnë të mbizotërojnë në veri, ndërsa për ruajtjen e rendit dhe qetësisë po përkujdeset Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i, raporton arbresh.info.
Elezi: Çështja në veri më e komplikuar sesa që paraqitet në publik
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi për arbresh.info thotë se pas vendosjes së barrikadave në atë zonë, situata është rënduar.
“Siç kemi paralajmëruar edhe në të kaluarën, çështja e veriut të Mitrovicës është më komplekse se që në fakt deri me tani është publikuar. Vërtet situata pas vendosjes së barrikadave në atë zonë është shumë e rëndë, dhe tani jemi në një pozicion ku institucionet tona për zbatimin e ligjit duhet të veprojnë dhe që në bashkëveprimet e tyre mund të konsiderohen si provokim eventualisht në eskalim të situatës”, shprehet Elezi.
Sipas Elezit, vetëm KFOR-i mund t’i largoj barrikadat, në të kundërtën Serbia nuk është e gatshme të ballafaqohet me KFOR-in dhe NATO-n.
“Se cila do të ishte mënyra më e mirë për largimin e barrikadave pa dyshim se vetëm institucionet në këtë rast të cilët merren me sigurinë e kufijve të Republikës së Kosovës, që në këtë rast është NATO dhe që për NATO-n në veri të Kosovës vepron KFOR-i. Mund të jenë struktura më e duhur për të larguar këto barrikada sepse siç e kemi parë edhe në deklarimet e fundit d.m.th. Serbia zyrtare nuk është shumë e gatshme që të ballafaqohet me KFOR-in dhe me NATO-n”, thotë ai.
Mes tjerash, Elezi bënë të ditur se çdo intervenim i Policisë së Kosovës mund të has në rezistencë dhe mund të shkaktojë edhe viktima.
“Në rast se kemi veprime të Policisë së Kosovës mendoj që mund të hasim në rezistencë dhe po ashtu mund të kemi viktima për çka për Kosovën nuk është e pranueshme dhe nuk do të ishte e mirë që institucionet tona në këtë rast policia e Kosovës të veproj derisa të shtjerrën të gjitha mundësit e komunikimit me Beogradin zyrtarë apo edhe struktura të tjera të sigurisë të NATO-s dhe pse jo të vendeve të tjera partnere që veprojnë në Kosovë”, thotë ai.
“Në këtë rast intervenimi i Policisë së Kosovës mund të eskalojë situatën dhe do të ishte më së miri që këtë intervenim për largimin e barrikadave ta bëjë KFOR-i, është strukturë e cila ka edhe përgatitje profesionale dhe të nevojshme për raste të tilla”, tha Elezi për arbresh.info.
Krasniqi: Kosova nuk ka humbur asnjëherë asgjë kur ka dëgjuar këshillat e aleatëve
Deputetja e LDK-së Rrezarta Krasniqi për arbresh.info pohon se prapa barrikadave në veri qëndrojnë strukturat kriminale.
“Nuk ka dyshim se mbrapa barrikadave në pjesën veriore të Mitrovicës qëndrojnë grupe të strukturuara kriminale, që herë pas here prodhojnë tensione si këto të fundit, përmes bllokimit të rrugëve dhe sulmit ndaj institucioneve e zyrtarëve policor’, shprehet Krasniqi.
Krasniqi shton se institucionet e vendit duhet të bashkëpunojnë me aleatët e Kosovës për largimin e barrikadave, dhe çdo intervenim nga zyrtarët policorë pa dijeninë e KFOR-it është gabim i madh.
“Marrë për bazë situatën e krijuar në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, barrikadat në disa rrugë, plagosjen e një zyrtari policor si dhe shpërthimet e herë pas hershme në lokacione të ndryshme, institucionet e vendit duhet të veprojnë vetëm në bashkëpunim me aleatët tanë. Është gabim i madh nëse dikush mendon të bëjë aventura me zyrtarët policor, pa vendosur në dijeni edhe KFOR-in dhe partnerët tanë strategjik. Çdo veprim në komunat veriore duhet të jetë i analizuar mirë dhe koordinuar me aleatët tanë. Mos të harrojmë, Kosova nuk ka humbur asnjëherë kur ka dëgjuar këshillat e aleatëve, prandaj bashkëveprimi me ta është garanci për sukses”, thekson ajo.
Deputetja e LDK-së bënë të ditur se institucionet e vendit duhet të krijojnë kushte për të hapur rrugët e bllokuara dhe të veprohet në koordinim me KFOR-in.
“Institucionet e vendit e kanë për obligim që të krijojnë kushte të favorshme për të hapur rrugët e bllokuara. Kjo mund të arrihet vetëm përmes një analize të gjerë të situatës atje dhe të veprohet vetëm në koordinim me KFOR-in. Çdo tentative tjetër, për të hapur rrugët e bllokuara mund të kontribuoj në përkeqësimin e situatës, veçse të tensionuar tash e sa ditë”, shprehet Krasniqi për arbresh.info.
Protesta në veri
Të enjten mijëra serbë janë mbledhur në Rudare të Zveçanit.
Qytetarëve të mbledhur në Rudare në protestën e thirrur nga serbët lokalë, iu drejtua edhe kryetari i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, i cili tha se “barrikadat janë përgjigje ndaj dhunës së Albin Kurtit”. Jevtiq i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të “ndalojë Kurtin”. “Ky tubim është dëshmi se ne jemi të bashkuar në këtë luftë dhe se jemi bashkë”, ishte shprehur ai.
Sipas Jevtiq, që nga ardhja e Albin Kurtit në pushtet, serbët e Kosovës po vuajnë terrorin dhe padrejtësinë.
“Po u them përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare se të gjitha protestat tona janë paqësore dhe demokratike”, ishte shprehur Jevtiq.
Deklarata e Kurtit dhe Sveçlës
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ditë më parë ka thënë se institucionet e Kosovës janë duke e pritur KFOR-in për t`i larguar ato dhe shtoi se barrikadat në atë pjesë janë kthyer në pengesë edhe për qytetarët serb.
“Mbase me se miri do të ishte të hiqen prej atyre që janë vendosur. Mirëpo ata që i kanë vendosur barrikadat janë vendosur edhe vetë në barrikada, madje me armatim. Nuk janë këto barrikada civile. Në anën tjetër, ne kemi dhënë kohen e kërkuar prej KFORi-it që ata ta bëjnë heqjen e këtyre barrikadave dhe ministri ynë i Punëve të Brendshme po pret”, ishte shprehur Kurti në një intervistë.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se institucionet e Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për t’i larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat.
“Çdo çast i kaluar nën bllokim të barrikadave të ngritura nga grupe të armatosura e kriminale është i tepërt. Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për ti larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat”, kishte deklaruar Sveçla. /Ejona Hyseni/arbresh.info/
FFK: Racizmi dhe thirrjet anti-Kosovë në Rumani, sulm ndaj v...
Policia kërkon bashkëpunim nga qytetarët për identifikimin e...
Bejruti përballet me sulme të vazhdueshme izraelite
Shqipëria e angazhuar për të forcuar sigurinë detare
67 kandidatë kalojnë testin me shkrim për 21 pozita për gjyq...
Mediat ndërkombëtare shkruajnë për ndërprerjen e ndeshjes Ko...