Spitali i Pejës ka njoftuar se për rastin e rëndë të foshnjës janë shkarkuar edhe shefi i repartit të gjinekologjisë dhe kryeinfermierja e repartit të gjinekologjisë.
“Si vazhdim i masave disiplinore është shkarkuar Shefi i Repartit të Gjinekologjisë dhe Kryeinfermierja e Repartit të Gjinekologjisë, ndërsa që presim përfundimin e të gjitha procedurave tona disiplinore, por sidomos edhe gjetjet e autoriteteve ligjzbatuese të përfshira në hetim për të ndërmarrë veprimet e mëtutjeshme ndaj cilitdo të përfshirë në këtë rast”.
Në këtë njoftim, Spitali i Pejës për mosdhënien e informatave arsyetohet se mediat nuk i kërkuan ato dhe se e kanë marrë parasysh edhe gjendjen e nënës së foshnjës, e cila s’ishte e njoftuar për rastin.
“Me përgjegjësi theksojmë se pavarësisht se policia ka raportuar rastin, nuk kemi pasur asnjë kërkesë të vetme nga mediat për informata lidhur me këtë rast. Padyshim që ne kemi pasur parasysh edhe faktin tjetër të deklaruar nga familjarët që të mos e rëndonim edhe më tutje gjendjen e nënës, meqë nuk ishte ende në dijeni për ndodhinë”.
Po ashtu, Spitali i Pejës thotë se janë duke përgatitur planin për ndërmarrjen e masave të tjera që do “të përmirësojnë procedurat tona të brendshme organizative dhe për këtë do të reflektohet në ditët në vijim”.
Njoftimi i plotë:
Java e fundit për personelin e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë ka qenë shumë e rëndë, marrë parasysh rastin e ndodhur me trajtimin e frytit të vdekur. Gjejmë mundësinë edhe njëherë të shprehim keqardhjen tonë të thellë dhe të sinqertë për prindërit dhe për të gjithë qytetarët gjithandej vendit që janë shqetësuar dhe indinjuar me të drejtë.
Gjithçka që ka ndodhur është duke u hetuar nga Prokuroria prej ditës që është kuptuar për ngjarjen e rëndë. Edhe masat e tjera administrative po ashtu janë ndërmarrë.
Ne jemi të vetëdijshëm dhe kemi mision tonin që t’i japim vendit lajme për sukseset në trajtimin dhe shërimin e pacientëve. Fatkeqësisht nuk ia kemi dalë në këtë rast.
Duam të sigurojmë opinionin publik se sado e rëndë që është ngjarja ajo është pa qëllim, por ka ardhur si mosrespektim i protokollit strikt të veprimit në raste të trajtimit të frytit të vdekur.
Edhe njëherë na duhet ta theksojmë se ne si personel i Spitalit ndjejmë keqardhjen më të thellë për këtë ngjarje.
Pavarësisht se gjithë ngjarja ishte pa dashje dhe e shkaktuar nga pakujdesia e disa nga punëtorët tanë, kjo nuk e zvogëlon peshën e rëndë për rastin dhe keqardhjen tonë për këtë.
Po ashtu, duam të theksojmë se pretendimet se Spitali është përpjekur ta fshehë këtë rast nuk qëndrojnë aspak. Më poshtë po paraqesim kronologjinë në mënyrë që të jenë të njoftuar të gjithë me atë çka organet e drejtësisë tashmë janë të njoftuar:
Aborti me intervenim kirurgjik ka ndodhur në natën e datës 13.12.2022, ndërsa që ngjarja e frytit të vdekur ka ndodhur më 14.12.2022. Me t’u informuar për ngjarjen, menaxhmenti i Spitalit ka informuar organet e Policisë dhe po atë ditë deri në orë të vona, kemi ofruar bashkëpunimin tonë të plotë tek Policia, Prokuroria e Inspektorati Shëndetësor që kanë qenë në vend të ngjarjes dhe në të njëjtën kohë është informuar mbi ngjarjen drejtoria e ShSKUK.
Po në këtë ditë, Policia e Kosovës ka njoftuar opinionin me një komunikatë që po e heton këtë rast, ndërsa është praktikë e njohur që për rastet e ndjeshme, me disa të përfshirë për realizim të hetimeve, informatat jipen të rezervuara.
Me përgjegjësi theksojmë se pavarësisht se policia ka raportuar rastin, nuk kemi pasur asnjë kërkesë të vetme nga mediat për informata lidhur me këtë rast. Padyshim që ne kemi pasur parasysh edhe faktin tjetër të deklaruar nga familjarët që të mos e rëndonim edhe më tutje gjendjen e nënës, meqë nuk ishte ende në dijeni për ndodhinë.
Po ashtu, kemi iniciuar procedurat disiplinore të menjëhershme nga ana jonë dhe me këtë rast janë suspenduar shtatë punonjës të Spitalit, me datë 16.12.2022, menjëherë pas identifikimit se kush ka qenë i përfshirë sipas përgjegjësisë së veprimit a mosveprimit.
Sot, si vazhdim i masave disiplinore është shkarkuar Shefi i Repartit të Gjinekologjisë dhe Kryeinfermierja e Repartit të Gjinekologjisë, ndërsa që presim përfundimin e të gjitha procedurave tona disiplinore, por sidomos edhe gjetjet e autoriteteve ligjzbatuese të përfshira në hetim për të ndërmarrë veprimet e mëtutjeshme ndaj cilitdo të përfshirë në këtë rast.
Ne jemi duke përgatitur planin për ndërmarrjen e masave të tjera që do të përmirësojnë procedurat tona të brendshme organizative dhe për këtë do të reflektohet në ditët në vijim. /arbresh.info/
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë...
Mot i keq e erëra të forta, komuna e Prishtinës apelon qytet...
Rihapet aeroporti në Londër/ Nuk jepen detaje pas alarmit pë...
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të Kosovës
Përleshje mes dy të miturve në Skenderaj, njëri prej tyre th...
A do të “rikthehet” Atilla sonte në BigBrother?