Qeveria ndan mbi tetë milionë euro për blerje të librave

22:07 | 22 Dhjetor 2022
Emir Abduramani

Qeveria e Kosovës, sonte ka zhvilluar mbledhje elektronike, të 115-tën me radhë.

Në këtë mbledhje qeveria ma miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për Projektin “Efiçienca e Energjisë në ndërtesa publike në Prizren” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për Projektin “Korniza e qyteteve të gjelbërta 2 dritarja 2 – efiçienca e energjisë në ndërtesa publike në Prishtinë” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Po ashtu ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore për mbështetje të Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, në funksion të zbatimit të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar, të datës 28 tetor 2022, mbi përkrahjen financiare në qëllim të ruajtjes e kultivimit të gjuhës, artit, kulturës e identitetit shqiptar në Luginën e Preshevës.

Qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime, ndarje dhe harmonizime në paga dhe shtesa dhe vendimin për aprovimin e kërkesës së Zyrës së Kryeministrit për ndarje të mjeteve buxhetore për zbatimin e masës 2.4 – Mbështetja e Eksportit të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Po ashtu është miratuar edhe kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për ndarje të mjeteve buxhetore për zbatimin e pikës 1.4 dhe 1.6 të Vendimit Nr. 31/99 të datës 30.09.2022, i plotësuar dhe ndryshuar me Vendimin Nr.10/102 i datës 26.10.2022, lidhur me masat shtesë në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike në zbatim të Masës 3.6 – Mbështetja e likuiditetit familjar, si dhe vendimin për aprovimin e kërkesës së Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej tetë milionë e njëzetmijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e nëntë euro (8,020,689 €), për pagesën e obligimeve të blerjes së librave.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme