Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje ligjvënësve amerikanë dhe të gjithë qytetarëve të tjerë të SHBA-së që të vazhdojnë ta mbështesin vendin e tij me ndihmë ushtarake dhe financiare, derisa lufton për ekzistencë kundër një Rusie revanshiste.
Çdo gjë tjetër, përveç fitores së Ukrainës, do të kërcënonte botën e lirë, përfshirë SHBA-në, tha Zelensky.
Ai i bëri komentet gjatë një fjalimi 25-minutësh para Kongresit amerikan, në Uashington.
Ai tha se Ukraina mund ta fitojë luftën kundër një ushtrie ruse të armatosur më mirë, por shtoi se ndihma ushtarake dhe financiare e SHBA-së është “vendimtare” për të arritur fitoren përfundimtare.
Shumë anëtarë të Partisë Republikane, e cila do të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së në janar, kanë kritikuar ndihmën masive për Ukrainën, në kohën kur ekonomia e SHBA-së vuan. Ata, gjithashtu, kanë vënë në pikëpyetje mënyrën se si po përdoret ndihma.
Disa anëtarë të Partisë Demokratike, në anën tjetër, kanë shprehur shqetësim se ndihma ushtarake do ta provokojë Rusinë.
Zelensky bëri përpjekje t’i adresojë këto shqetësime, duke thënë se ndihma e SHBA-së nuk është “bamirësi”, por “një investim në sigurinë globale dhe demokracinë që ne e trajtojmë në mënyrën më të përgjegjshme”.
Duke thënë se Ukraina është aleate e SHBA-së në luftën për demokracinë globale, ai vuri në dukje se Irani – të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë etiketuar si shtet terrorist – është bërë aleat me Rusinë në luftën e saj kundër vendit të tij, duke i shitur qindra dronë kamikazë vdekjeprurës.
“Kështu një terrorist e ka gjetur tjetrin”, tha ai, duke iu referuar gjithashtu etiketimit të Rusisë nga Ukraina si shtet terrorist.
“Është vetëm çështje kohe kur ata do t’i godasin aleatët tuaj tjerë, nëse ne nuk i ndalojmë tani”, tha Zelensky./rel
Barella: Sot kundër një skuadre shumë të fortë dëshmuam se m...
Kurti: Të përkushtuar për të vërtetën dhe për drejtësi për t...
Shpërthimet në Liban, reagon kryeministri izraelit Netanyahu
Raportohet për një lëvizje të mundshme të Zhegrovës në të ar...
Biden pret të hënën homologun e Emirateve të Bashkuara Arabe...
Finlanda e mbron vendimin për të blerë armë izraelite