Google ADS

Bislimi pas vendimit të ambasadorëve të BE-së: Sukseset e Qeverisë në sundimin e ligjit, ndër faktorët kryesorë për liberalizimin e vizave

16:32 | 20 Dhjetor 2022
E.H

Sot është miratuar teksti i kompromisit për liberalizimin e vizave për Kosovën nga ambasadorët e BE-së

Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi, ka përshëndetur këtë vendim, derisa ka thënë se tashmë jemi drejt përfundimit të këtij procesi.

“Sot është miratuar nga ambasadorët e BE-së teksti mbi liberalizimin e vizave për Kosovën. Një hap tutje, tejet i rëndësishëm, që do të pasohet me aprovimin formal të rregullores mbi heqjen e vizave nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Bislimi ka thënë se puna e Qeverisë ishte ndër faktorët kryesorë në avancimin e këtij procesi që ishte bllokuar për vite me radhë.

“Tashmë jemi drejt përfundimit të suksesshëm të këtij procesi të tej zgjatur për qytetarët e Republikës së Kosovës. Sukseset e arritura nga Qeveria veçanërisht në sundim të ligjit, puna jonë e vazhdueshme me shtetet anëtare dhe mbështetja e partnerëve tanë strategjikë, ishin faktorë kryesorë në avancimin e këtij procesi që ishte bllokuar për vite me radhë”.

“Me finalizimin e liberalizimit të vizave, Kosova do të jetë një hap më afër BE-së e proceseve të integrimit evropian”, ka shkruar tutje Bislimi.

Sipas procedurave, në emër të Këshillit të BE-së, Presidenca çeke hyri në negociata me Parlamentin Evropian dhe pas vetëm një takimi u arrit marrëveshja ndërmjet këtyre dy institucioneve të Bashkimit Evropian.

Në emër të PE-së, negociatat i ka zhvilluar raportuesi për liberalizim të vizave për Kosovën, Thijs Reuten, nga Holanda.

Edhe pse Parlamenti do të kishte preferuar që vendimi të jetë i pakusht dhe hyrja në fuqi më e shpejtë, ky institucion i BE-së ra dakord për tekstin e vendimit për të mos krijuar rrethana, të cilat do ta vononin procesin edhe më shumë.

Tash, kjo marrëveshje duhet të votohet në Komisionin për Drejtësi dhe Liri Qytetare (LIBE) në Parlamentin Evropian, e më pas edhe në seancë plenare. Pritet që kjo procedurë të jetë në pjesën e parë të vitit që vjen.

Deri më tash nga Parlamenti Evropian ka pasur mbështetje të fuqishme për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Parlamenti kishte bërë edhe presion ndaj vendeve të Bashkimit Evropian që sa më parë të miratojnë vendimin për t’i hequr vizat për qytetarët e Kosovës, të cilët janë të vetmit në rajon që nuk mund të udhëtojnë në BE pa viza.

Sipas tekstit të vendimit, për të cilin janë marrë vesh Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, dhe të cilin e kanë aprovuar të martën përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të hyjë në fuqi në kohën kur do të jetë tërësisht funksional sistemi i verifikimit dhe autorizimit të udhëzimeve (ETIAS), dhe jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme