Gjashtë të vdekur, përfshirë të dyshuarin, pas të shtënave me armë në një ndërtesë në Kanada

09:55 | 19 Dhjetor 2022
L G

Pesë persona u vranë nga të shtënat në një ndërtesë në një periferi të Torontos të dielën në mbrëmje, tha policia.

Rreth orës 19:20, oficerët iu përgjigjën një thirrjeje aktive për të shtëna në ndërtesën në Vaughan, një qytet në veri të Torontos, tha shefi i policisë rajonale Jim MacSween në një konferencë shtypi.

Policia gjeti një “skenë të tmerrshme ku vdiqën disa persona”, tha MacSween.

Një i plagosur u dërgua në një spital ku pritet të mbijetojë, ka shtuar ai.

Siç bëhet e ditur më tej nga mediat e huaja, përcjell telegrafi, i dyshuari është qëlluar pas një “ndërveprimi” me policinë dhe në vendin e ngjarjes është konstatuar i vdekur, sipas policisë.

Ndërkohë një njësi e reagimit emergjent po punon për të pastruar ndërtesën në mënyrë që banorët e zhvendosur të kthehen në shtëpitë e tyre.

“Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të sigurohemi që banorët që jetojnë në këtë ndërtesë të jenë në gjendje të kthehen sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo do të marrë pak kohë”, ka thënë më tej MacSween.

Policia ende është duke njoftuar familjet e viktimave, kështu që identiteti i tyre nuk është bërë i ditur publikisht, tha ai.

Motivi i të dyshuarit nuk është bërë i ditur dhe policia nuk ka treguar se çfarë çoi deri të shtënat.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme