Google ADS

Dugolli për “Newsweek”: Në Kosovë s’do të ketë më policë e ushtarë serbë, nuk do të realizohet ëndrra hegjemoniste e Serbisë

22:56 | 17 Dhjetor 2022
E.H

Ambasadori e Kosovës në ShBA, Ilir Dugollo dhe ai i Serbisë, Nenad Gjuriq kanë thënë për Newsweek se një rigjallërim në grindjet dhjetëvjeçare të të dyja vendeve nga ndarjet etnike dhe territoriale rrezikon shpërthimin e një krize të re në një kontinent ku po zhvillohet lufta e Rusisë me Ukrainën.

Grindjet, raporton “Newsweek”, i kanë rrënjët pas shpërbërjes së trazuar të Jugosllavisë që u shemb në vitet 1990, me statusin e Kosovës që mbetet një çështje e mosmarrëveshjes ndërkombëtare që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

Dhe duke qenë që sipas mediumit një shumicë e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe pjesën më të madhe të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, e shohin Kosovën si një republikë të pavarur, gati gjysma e botës nuk e konsiderojnë Kosovën si subjekt politik të ndarë nga Serbia.

Ndonëse një paqe e brishtë është mbajtur një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare, asnjëra nuk ka arritur t’i zgjidhë këto armiqësi, që ende mundojnë zemrën e Ballkanit, raporton mediumi amerikan.

“Newsweek” përmendi edhe dorëheqjet masive të oficerëve serbë dhe zyrtarëve nga institucionet publike të Kosovës.

Trazirat u përkeqësuan këtë muaj me arrestimin e polici serb i akuzuar nga autoritetet e Kosovës për terrorizëm, gjithashtu u raportua për përleshjen me armë midis sulmuesve dhe policisë si dhe sulme ndaj personelit të Bashkimit Evropian. Mes këtyre, Serbia e ka konsideruar hapur dërgimin e trupave në Kosovë.

Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq ka kërkuar lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar, kjo sipas deklaratës që dha për “Newsweek”.

Në anën tjetër, ambasadori i Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli argumentoi se ajo “që po shihet është e fundit në listën e gjatë të Serbisë për ta destabilizuar Kosovën”.

“Regjimi autokratik në Beograd është i angazhuar në përpjekje të vazhdueshme për të shkaktuar trazira”, tha Dugolli për “Newsweek”, “dhe ata po e bëjnë këtë jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende të tjera si Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina”.

Dugolli pohoi se “shtytja kryesore për këto përpjekje” mund të gjendet në ndikimin e vazhdueshëm të ish-udhëheqësit serb dhe jugosllav Slobodan Millosheviq, i cili i rezistoi shpërbërjes së Jugosllavisë dhe mbështeti revoltat nacionaliste serbe në të gjithë Ballkanin në mes të luftërave të përgjakshme që tërhoqën ndërhyrja e drejtpërdrejtë e NATO-s.

Ambasadori i Kosovës mbrojti edhe veprimet e fundit të zbatimit të ligjit, duke thënë se “arrestimi i një ish-polici, i cili dyshohet se ka kryer sulm terrorist kundër objekteve të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, është vetëm pretekst për këto sulme” të kërcënuara nga Serbia.

“Beogradi është qartësisht i interesuar të sabotojë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, në qendër të së cilës duhet të jenë njohjet e ndërsjella ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, diçka që e kanë një bërë të qartë një sërë liderësh dhe institucionesh – nga presidenti [Joe] Biden deri te Parlamenti Evropian”, tha Dugolli. “Për më tepër, është e rëndësishme të theksohet se kjo është një taktikë e palës serbe për të vendosur barriera shtesë për integrimin e Kosovës në BE”.

“Ndjenja e rreme e urgjencës e krijuar përmes dezinformimit dhe manipulimit të mediave formon një perceptim të tensioneve etnike, sikur Kosova po i vë në rrezik qytetarët e saj etnikë serbë”, tha Dugolli.

“Megjithatë, kjo narrativë nuk ka bazë në realitet dhe është vetëm një mjet për të fituar simpatinë nga komuniteti ndërkombëtar”.

Mosmarrëveshja e vazhdueshme Kosovë-Serbi zhvillohet në sfondin e rivaliteteve më të gjera gjeopolitike që kanë pasur prej kohësh një ndikim thelbësor në Ballkan. Ndërsa Kosova ka bërë hapa për të ndërtuar marrëdhënie me Perëndimin dhe aleatët e saj, Serbia ka mbajtur lidhje të ngushta me Rusinë, së bashku me vende të tjera shpesh kritike ndaj politikave perëndimore, sipas “Newsweek”.

“Vlen të kihet parasysh se përmes përshkallëzimeve dhe tensioneve, Serbia vazhdimisht kërkon të shpërqendrohet nga aktivitetet e saj në fusha të tjera”, tha Dugolli, “qoftë refuzim për të harmonizuar politikën e jashtme me BE-në dhe SHBA-në në lidhje me sanksionet kundër Rusisë, apo zgjerimin e bashkëpunimit me Iranin, Venezuelën dhe regjime të tjera të ngjashme”.

Moska ka shprehur vazhdimisht mbështetje për pozicionin e Beogradit, derisa ambasadori rus Aleksandër Botsan-Kharchenk duke thënë për gazetën “Soloviev Live” të martën se “ne qëndrojmë së bashku me miqtë tanë nën sloganin për Serbinë “Ne nuk i braktisim njerëzit tanë”.

“Në territorin e Republikës së Kosovës nuk do të ketë më policë dhe ushtarë nga Serbia dhe ëndrra hegjemoniste e Serbisë nuk do të realizohet kurrë”, ka thënë Dugolli. “Kjo nuk do të thotë se deklaratat dhe veprimet e Serbisë nuk duhet të alarmojnë të gjithë ata që kujdesen për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Kërcënimet e Serbisë nëpërmjet forcave të armatosura duhet të zemërojnë të gjithë”.

“Në fund të fundit, këto kërcënime po ndodhin në një sfond të katër luftërave të zhvilluara nga Beogradi në rajon”, shtoi ai. “Është Serbia, jo Kosova, si përmes kanaleve zyrtare ashtu edhe përmes elementëve kriminalë që po sulmon edhe një herë me egërsi politikanët serbë të Kosovës që nuk pranojnë luftënxitjen e Beogradit.

Dhe ai gjithashtu bëri thirrje për veprim ndërkombëtar, duke pohuar se “Serbia në thelb po e kërcënon Kosovën me agresion dhe ne konsiderojmë se çdo mos-dënim nga BE-ja dhe SHBA-ja e kësaj retorike dhe dhunës së orkestruar do ta inkurajojë Serbinë që të shtyjë më tej destabilizimin e Kosovës”, ka shtuar tutje Dugolli për “Newsweek”.

Ai gjithashtu e lidhi përkeqësimin e situatës me një tjetër konflikt të pas Luftës së Ftohtë në Evropë, që po ndodh në Ukrainë, një ish-shtet sovjetik.

Mes shqetësimeve për ofertat e Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n, si dhe në BE, dhe në mbështetje të dy republikave të vetëshpallura separatiste pro-ruse në territorin ukrainas, Moska filloi një luftë kundër Ukrainës në shkurt. Konflikti është zhytur në ngërç në muajt që pasuan, Dugolli pohoi se “nervozizmi në Beograd ndikohet pjesërisht nga zhgënjimi i tyre me dështimin e Rusisë për të pushtuar Ukrainën”. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme