Rënia e çmimit të derivateve, ekspertët paralajmërojnë ulje të çmimeve të produkteve

10:00 | 17 Dhjetor 2022
A. B.

Ekonomia e Kosovës që nga pandemia po përballet me çmime të larta.

Qytetarët ankohen se mezi po ia dalin të mbijetojnë me pagat që marrin, pasi çmimet janë ngritur, ndërsa pagat kanë mbetur të njëjta.

Çdo gjë është shtrenjtuar, kjo ka bërë që me rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore, por edhe e naftës, shporta e konsumatorit të zvogëlohet dukshëm, krahasuar me disa vite më parë.

T.E qytetare e një fshati nga komuna e Prishtinës thotë se mezi ja del të përballoj ngritjen e çmimeve.

“Jeta është bërë e vështirë pasi çmimet janë rritur tej mase dhe është e pamundur ta përballosh. Unë për momentin jam e papunë. Jetoje me burrin tre fëmijët dhe vjehrrën. Burri është mësimdhënës dhe me të thënë të drejtën mezi po ja dalim. Djali i madh shkon në shkollë në Prishtinë, çdo ditë udhëton dhe kjo po na kushton shumë”, thotë kjo qytetare e shqetësuar.

Madje, nga muaji janar i vitit 2023 Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar shtrenjtimin e biletave në trafikun urban. Krejt kjo erdhi në ditët kur çmimi i naftës ka filluar që të bie.

Megjithatë ka 1 javë çmimet e derivateve kanë rënë dukshëm.

Por, a do ndikoj rënia e çmimit të derivateve në uljen e çmimit të produkteve tjera, tregojnë për arbresh.info njohës të çështjeve ekonomike.

Berjani: Të gjitha produktet janë shtrenjtuar në emër të naftës dhe tash të gjitha duhet të ulen

Kryetari i shoqatës se naftëtarëve të Kosovës Fadil Berjani për Arbresh.info thotë se çmimet e derivateve kanë shënuar rënie.

“Çmimet kanë ra në tregjet ndërkombëtare dhe në berzë, si dhe kemi prodhim të shtuar në organizatën prodhuese opek. Këto gjëra kanë ndikuar në rënie edhe te ne në Kosovë ka reflektu”, thotë Berjani.

Sipas tij, edhe trendi është në rënie e sipër.

Ai thotë se aktualisht një litër dizel shitet nga 1.38 euro deri 1.45 euro. Ndërsa, benzina  me çmim prej 1.29 deri 1.37 euro.

Berjani tha se tash kur janë ulur çmimet e derivateve të naftës, duhet ulur edhe çmimet e shportës.

“Te gjitha produktet janë shtrenjtuar në emër të naftës, se nafta shtrenjtë, e tash kemi rënie te çmimit të naftës, po shporta e qytetarit nuk po ulet” shprehet Berjani.

Berisha: Ndryshimet e çmimeve fillojnë të vërehen pas furnizimeve të reja që i kanë me çmime më të ulëta

Në anën tjetër ekonomisti Bujar Berisha thotë se çmimet në berza ndërkombëtare kanë shënuar rënie, por meqenëse  në Kosovë nuk ka berzë dhe rafineri nafte të mëdha bazë, sipas tij, për këtë arsye çmimet e naftës bien me vonesë në vendin tonë.

“Tregtarët kanë stoqe momentale, me të cilat janë furnizuar me çmim më të larta dhe nuk dëshirojnë të humbin, ndryshimet fillojnë të vërehen pas furnizimeve të reja që i kanë me çmime më të ulëta. Kurse këto çmime që vërehen në disa pompa biznesi prej 10 deri 13 cent më lirë për litër janë vetëm sipas dëshirës së pronarëve dhe strategji së marketingu. E jo e bazuar në çmimin e berëzave ndërkombëtare apo rregullatorëve të çmimeve në nivel vendi/qeverie”, shprehet Berisha për arbresh.info.

Ai pohon se Kosova duhet ta ketë berzën e vetë.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të fillojë të krijoj berzën Kosovare apo të bazohen në ato të regjionit dhe në bazë të saj në situata të jashtëzakonshme të marr masa, kurse në situata tjera të çmimet të përcaktohen në bazë të ekonomisë së lirë.

“Çmimet e shumë produkteve tani nuk do të lëvizin, sepse këto çmime të derivateve nuk kanë stabilitet tani, ndërsa festat e fundvitit janë afër dhe gjithmonë kemi ngritje të çmimeve në këtë kohë”, thotë Berisha.

Ndryshe, rritja e çmimeve për energjinë, ushqimet e gjithçka në Kosovë ka qenë e pa kontrolluar. Në muajin mars patëm ngritje të lartë të vajit ku shkaktoi edhe panikë tek qytetarët. Po ashtu në kohën kur pati rritje të madhe edhe të çmimeve të derivateve, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kishte vendosur çmim tavan për produktet e karburanteve dhe që i përcaktonte çdo 24 orë./arbresh.info/Vjollca Gajraku/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme