Ushtruesi i detyrës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, dënimin e Sali Mustafës me 26 vite burgim nga Gjykata Speciale e ka quajtur vendim kryekëput politik.
Në një intervistë për portalin arbresh.info, Klinaku theksoi se Sali Mustafa u dënua nga Specialja “në emër të popullit të Kosovës”, përderisa ai vetë kishte luftuar për këtë popull, ndërsa tha se është e pakuptueshme që të akuzohet grupi për “ndërmarrje kriminale” e të dënohet vetëm individi.
“E keqja më e madhe e këtij vendimi të Speciales është që ata kot thirren në emër të popullit të Kosovës, sepse Sali Mustafa ka luftuar për popullin e Kosovës, për lirinë e këtij populli. E keqja tjetër është që e akuzojnë si ndërmarrje kriminale e përbashkët ndërsa dënohet individi, sepse një individ nuk mund ta bëjë një ndërmarrje, ashtu siç ka ndodhur me Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn, pra, të akuzohet grupi dhe të dënohet personi kjo nuk ka të bëjë tjetër përveç se me vendim politik, me drejtësi s’ka të bëjë fare.”, tha Klinaku për arbresh.info.
Klinaku tha se ky vendim i Speciales nuk është vetëm politik, por edhe arbitrar, dhe absurditeti më i madh është që Sali Mustafën ta dënojnë me 26 vjet burg, e kriminelët serbë dënohen me pak vite burg, për të mos thënë fare.
“Ky vendim përveç që është politik është edhe arbitrar, sepse kur iu konvenon atyre ata thirren në kode penale ndërkombëtare që nuk mund të dënohet njeriu me më shumë se 20 vite, ndërsa tash e dënojnë atë me 26 vite. Ndërsa kriminelët serbë qoftë edhe Millosheviqi dhe gjithë ata që kanë bërë masakra në Kosovë, shumë prej tyre janë shpallë të pafajshëm apo janë dënuar me vetëm 10 vite”, tha Klinaku për arbresh.info.
Ud i OVL- UÇK-së gjithashtu kritikoi Kuvendin e Kosovës për mungesën e iniciativës për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale, apo për të ndërmarrë veprime tjera dhe për t’i mbrojtur ata që po qëndrojnë në Hagë.
“Ne kemi bërë përpjekje që të tregojmë se i ka përfunduar mandati Gjykatës Speciale, ndërsa Kuvendi i Kosovës dhe institucionet tona nuk merren fare me këtë çështje. Është absurde përderisa merren me këtë punë ish-kryeministra të vendeve perëndimore dhe e akuzojnë Specialen se është gjykatë politike, siç ishte ai i Britanisë së Madhe, Kuvendi i Kosovës dhe politikanët tanë nuk merren me këtë gjykatë e cila po ua shkel të drejtat e të burgosurve që janë atje.”, vlerësoi Klinaku.
Tutje, Klinaku theksoi se si OVL e UÇK-së nuk presin vendime të mira as për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin që gjenden në Hagë, sepse sipas tij kjo gjykatë është politike dhe vendimet i merr në bazë të interesave të Serbisë e Rusisë.
“Nuk presim vendime të mira nga kjo gjykatë duke pasur parasysh se është gjykatë politike dhe çdoherë vendimet do t’i marrë për shkak të interesave të grupeve të caktuara në Evropë, por edhe për shkak të interesave të Serbisë e Rusisë”, deklaroi Klinaku.
Ndryshe, këto deklarata të tij vijnë pas dënimit të Sali Mustafës me 26 vjet burg nga Gjykata Speciale, me akuzat mbi krime lufte në fshatin Zllash në krahinën e Gollakut, me akuzat siç janë vrasjet, tortura dhe keqtrajtimi mizorë në prill të vitit 1999./EmirAbduramani/arbresh.info
Kosova e mbyll me fitore ndaj Lituanisë kampanjën në Ligën e...
Rikthehet historia me Atillën, Drenusha: Nuk kam ardhur të l...
Haradinaj për asociacionin: Në javën e parë të qeverisjes do...
Kurti: Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë mosmarrëveshje...
Abdixhiku: Ndryshimi po vjen, ata që mashtrojnë nuk do të sh...
Bluesky me një qasje që do ta ndryshojë nga X dhe Threads