The Crown (Kurora), drama e jashtëzakonshme që tejkalon muret e trasha të monarkisë britanike, në sezonin e tij të gjashtë, ka përfshirë edhe Kosovën.
E në fakt, nuk kishte si të ndodhte ndryshe!
Drama që pasqyron historinë e gjithë familjes mbretërore më të njohur dhe më me ndikim në botë, në sezonin e fundit, përfshin ngjarje të mëdha të fundviteve të 90-ta.
Divorci i princit Charles me princeshën Diana, aksidenti fatal i kësaj të fundit në Paris, qëndrimi dhe qetësia e jashtëzakonshme e Mbretëreshës Elizabeth II, për ta ruajtur monarkinë dhe shtetin, si dhe lufta e Kosovës që ndërlidhet nëpërmjet figurës së ish kryeministrit Tony Blair, janë katër nga ngjarjet kulmore në këtë sezon të “Kurorës”.
Publikuar në Netflix, një nga platformat më të mëdha të botë për film, Kosova, vuajtjet, lufta e saj e lufta e botës demokratike për të shpëtuar një popull nga shfarosja, ndërthuret me angazhimin e qeverisë britanike, konkretisht kryeministrit Tony Blair.
Pamjet kur Blair pritej si hero në rrugët e Kosovës pas luftës, diskutimet brenda qeverisë britanike e kokëçqarjet e mëdha, janë tashmë pjesë e “Kurorës”, kurse sheshxhirimi që risjell Kosovën, Prishtinën e sapo dalë nga lufta e vitit 1999, ishte në Southend, në Essex.
Me aktorin Bertie Carvel i cili luan rolin e ish kryeministrit britanik, rikthehet kujtimi i pritjes madhështore të kosovarëve, në fund korrikun e vitit 1999,vetëm një muaj e gjysmë pas çlirimit, kur Blari i vërtetë ishte mirëpritur si hero pas fushatës ajrore të NATO-s kundër ish Jugosllavisë.
Kështu, produksioni e transformoi Southend në Essex, sikurse rrugët e shtetit ballkanik, për të xhiruar Tony Blair, e ku shihet Blair duke vizituar vendin i cili tani ka shumë fëmijë me emrat Toni dhe Tonybler, të pagëzuar për nder të tij.
Kjo pjesë e “Kurorës” nuk ka kaluar pa u vërejtur edhe nga gazeta britanike “Daily Mail”.
Në artikull të këtij medumi, rikujtohet se ishte hera e parë e Tony Blair në Kosovë, pas fushatës ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë, që detyroi presidentin jugosllav Slobodan Millosheviq, t’i jepte fund krimeve të tij kundër shqiptarëve etnikë.
Në artikull rikujtohet se kryeministri Tony Blari, kishte mbështetur vendimin e NATO-s për të nisur një luftë ajrore 78-ditore kundër forcave serbo-jugosllave në vitin 1999.
Në fakt, Tony Blair i vërtetë, e vizitoi Prishtinën, kryeqytetin e Kosovës, të shtunën e 31 korrikut 1999, ku prit dhe përshëndet nga mijëra kosovarë, që nuk kursenin të shprehnin në mënyra të ndryshme dashurinë dhe mirënjohjen për atë që ai kishte bërë për t’i shpëtuar.
“Njerëzit brohoritën kryeministrin britanik, i dhanë dorën, i dhanë lule dhe madje e puthnin. Blair mbolli një pemë për të përfaqësuar rindërtimin e Kosovës”, rikujton gazeta britanike.
“Ajo që më ka dhënë kënaqësi është të shoh fëmijët e vegjël në atdheun e tyre në paqe. Kjo është shpresa që kemi për të ardhmen. Kjo shpresë qëndron në qindra prej këtyre fëmijëve”, kishte thënë Blair në atë kohë.
Një njëri mund të krijojë histori! Megjithatë, e sigurt është se jo të gjithë do të mendojnë njësoj për të. Jo të gjithë do ta duan apo urrejnë atë! E tillë është edhe figura e jashtëzakonshme e Mbretëreshës së Britanisë së Madhe, Elizabeta II.
Gruaja e cila aksidentalisht u gjend, sipas vijës së gjakut, në fronin mbretëror më me ndikim, jo vetëm për Mbretërinë e Bashkuar, por edhe për rreth 50 shtete të Commonwealth-it, ka shkruar tashmë historinë e saj.
Kur xhaxhai i saj, Mbreti Edward VIII, në vitin 1936, për hirë të dashurisë, refuzoi të qëndrojë Mbret, sipas rregullave të monarkisë, froni i kaloi vëllait të tij, mbretit George.
Ai ishte një burrë i drejtë, por i pabindur në vete për të qenë në krye të mbretërisë.
Ndër shumë arsye qe e shtynë atë të besojë në paaftësinë e tij, ishte edhe belbëzimi.
Sidoqoftë, sëmundja e kancerit në mushkëri ia shpejtoi ardhjen e vdekjes e në anën tjetër edhe ngjitjen më shpejt në fron të vajzës së tij të madhe, Elizabetës.
E gjendur sa hap e mbyllë sytë në krye të një prej mbretërive më me ndikim në glob, Elizabeta II, duhej të përballej me panjohuritë e saj mbi gjeopolitikën, punët e brendshme, ekonominë e deri tek ato familjare, si telashet me motrën, e mbi të gjitha edhe dashuriçkat e bashkëshortit të saj, Princit Filip të Greqisë, ku mbretëria e babait të tij, tashmë kishte bankrotuar në të gjitha drejtimet.
Ballafaqimi i saj me kryeministrat si Churchill e Thatcher, janë një rrëfim në vetëvete.
E kulmi, është sfida e saj me të birin, Princin Charles.
Pavendosmëria e tij për t’i dhënë fund dashurisë ndaj Camillas, që ishte grua e martuar e me fëmijë, dhe mospërkushtimi i tij ndaj bashkëshortes Diana, shpotitjet e kësaj të fundit me dashnorë, e inatet e mëdha të anëtarëve të familjes mbretërore ndaj saj, për shkak të aftësisë që kishte për të fituar zemrat e publikut, do të çonin buzë greminës, jo vetëm Mbretëreshën Elizabetë II, por dhe rreputacionin e saj si sovrane dhe gjithë monarkinë.
Kështu, e gjithë jeta e Mbretëreshës Elizabeta II, deri në fillim të viteve të 90-ta, është jetësuar në serlain “The Crown” (Kurora).
I realizuar në mënyrë të jashtëzakonshme, duke i vënë në pah edhe detajet më të imta, sipas kohës dhe etapave, madje edhe rolin e veçantë të mediave britanike, dhe me aktorë thuajse të përkryer, kjo dramë risjell në vëmendje fuqinë e një gruaje e cila nga frika dhe në përpjekje për të mos zhgënjyer popullin e saj, ndrydhë jetën e vet, e në fakt arrin ta bëj një komb që të jetë krenar me të./rtk/
Pesë vite nga tërmeti i 26 nëntorit, buxheti ka ende 50 mili...
Komisioni Disiplinor i FFK-së merr masa për futbollistët që ...
“Marre se si po duket”, Lela u kërkon banorëve që të pastroj...
Dëshmitari Çadraku: Shumë dokumente që më janë prezantuar ka...
Liverpooli merr një lajm të mirë para ndeshjes me Real Madri...
Hamza fton bashkatdhetarët të investojnë në Kosovë: Së bashk...