Kurti jep detaje për mbledhjen e 112-të të Qeverisë, u morën 31 vendime

10:04 | 14 Dhjetor 2022
E.H

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë detaje për vendimet që janë marr dje në mbledhjen Qeverisë.

Në mbledhjen e 112-të me radhë, janë marrë 31 vendime.

Mes vendimeve të marra, është edhe ndarja e mjeteve për përballje të Inflacionit si dhe kompensimi i dëmeve të shkaktuara në bujqësi në komunat e prekura nga fatkeqësitë natyrore, shkruan arbresh.info.

Postimi i plotë i Kurtit:

Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, të 112-të me radhë, nga 31 vendime, mes tjerash:

Miratuam gjashtë nisma për marrëveshje ndërkombëtare për projekte në infrastrukturë, drejtësi e energji.

Që çmimi i energjisë elektrike për qytetarët të jetë më i përballueshëm, ndamë mjete për subvencionimin e tarifave të energjisë elektrike.

Ndamë mjete për masat e Pakos për Përballje me Inflacion, në mbështetje të amvisërisë që kanë kursyer energji, për punëtorët e ndërmarrjeve publike, për punëtorët e sektorit publik dhe për studentët.

Aprovuam Planin e Veprimit për pakon e përkrahjes buxhetore për krizën e energjisë brenda fondeve IPA 2023, me vlerë prej 75 milionë euro.

Iniciuam përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në listën e instrumenteve ndërkombëtare në Kushtetutën e Republikës.

Miratuam kompenzimin e dëmëve të shkaktuara në bujqësi në komunat e prekura nga fatkeqësitë natyrore.

Për një shoqëri demokratike, institucione transparente, e gjithëpërfshirje në proceset qeveritare, miratuam Planin Kombëtar të Veprimit 2023-2025 për Partneritetin për Qeverisje të Hapur.

Me qëllim të institucionalizimit të kujdesit shëndetësor për pacientët me sëmundje të rralla, miratuam Koncept Dokumentin për Sëmundjet e Rralla. Miratuam edhe Projektligjin për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse.

Themeluam Këshillin Shtetëror Organizativ për shënimin e 15 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 25 vjetorit te Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Miratuam tre vendime për shpronësim për interes publik për realizimin e projekteve infrastrukturore në komunat e Mitrovicës dhe Podujevës.

Ndamë mjete për subvencionim të ndërtimit të shtëpive për komunitetet jo-shumicë, ndërtimi i të cilave kishte filluar në vitin 2019./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme