Edi Rama reagon pas raportimeve për përplasje me ambasadoren amerikane

18:56 | 13 Dhjetor 2022
Emir Abduramani

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar për herë të parë në lidhje me njoftimin që Ministria e Jashtme publikoi disa ditë më parë, ku thuhej se kanë nisur procedurat për zëvendësimin e ambasadores amerikane, Yuri Kim.

Në një deklaratë për mediat, Rama u shpreh se procesi për zëvendësimin e saj nuk ka nisur nga qeveria shqiptare, por nga Departamenti amerikan i Shtetit.

“Nuk është thyer asnjë etikë e asnjë lloji dhe procesi për zëvendësimin e ambasadores ka nisur siç është thënë nga Ministria e Jashtme. Natyrisht, nuk e kemi nisur ne procesin, e ka nisur Departamenti i Shtetit, si për të gjithë ambasadorët, kur bëhet fjalë për ambasadorët e SHBA-ve. Amerikën e kemi të veçantë, nuk komentojmë për të gjithë ambasadorët, sepse dhe sikur ta kometonim,  askush nuk do ta kishte mendjen apo jo?

Jo, ngjitja mes meje dhe ambasadores është më e fortë se kurrë, në mund ta përdorim metaforën me krisje dhe ngjitje. Nuk ka asnjë problem, ne kemi pasur dje një takim të gjatë, konstruktiv, miqësor, nuk ka asnjë problem. Domethënë, kush e shpreson krisjen, gabon”, theksoi ai.

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim iu përgjigj diskutimit lidhur me mandatin e saj, duke theksuar se do të jetë ‘edhe ca më gjatë në Shqipëri’.

Në konferencën “Drejt ekselencës gjyqësore”, Kim u shpreh se shqiptarë po i ndiejnë rezultatet e reformës në drejtësi, por inkurajoi për më shumë.

Sipas ambasadores, me gjithë progresin e arritur, nuk është koha për të thënë ‘mjaft’ dhe për të pushuar, por për të punuar më shumë. /euronews

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme