Stoltenberg për situatën në veri: Jemi të gatshëm dhe vigjilentë

11:41 | 13 Dhjetor 2022
E.H

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, në një intervistë për France 24, ka folur rreth situatës në veri të Kosovës.

Stoltenberg tha se duhet të shmangen deklaratat që kontribuojnë në eskalimin e konfliktit dhe të veprimeve.

I pari i Aleancës Veriatlantike, porositi palët se duhet të ofrojnë ndihmë për uljen e tensioneve.

“Forcat tona janë të gatshme, të afta dhe vigjilente. Ato janë duke e vëzhguar situatën me shumë kujdes. Po bashkëpunojmë ngushtë edhe me Bashkimin Evropian. Kërkoj nga palët që të përmbahen nga retorika që kontribuon për eskalimin e konfliktit dhe ta ndihmojnë uljen e tensioneve”, tha Stoltenberg.

Jens Stoltenberg shtoi se NATO-ja është shumë e njohur me luftërat në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë.

“NATO-ja është shumë e fokusuar në çështjen e Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor. Ne kemi një histori të gjatë. Kemi ndihmuar për t’u dhënë fund dy luftërave entike, së pari në Bosnjë e Hercegovinë dhe më vonë në Kosovë. Forcat tona ende janë të pranishme përmes forcave të NATO-s, KFOR-i ka gati 4.000 anëtarë dhe është faktor kyç për stabilizimin e rajonit dhe të situatës”- tha ai.

Vendosja e barrikadave në veri ka hyrë tashmë në ditën e katërt, duke e pamundësuar kështu lëvizjen që çon tek pikat kufitare me Serbinë, në Jarinje dhe Bërnjak.

Kjo u bë nga ana e serbëve pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq, ndaj të cilit është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Ai dyshohet se ka sulmuar policinë në Zveçan të enjten para mesnatës, ku u plagos një polic.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka kërkuar intervenimin e NATO-s në veri.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka thënë se do të kërkojë nga KFOR-i lejimin e 1 mijë ushtarëve serbë në Kosovë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme