Përveç luftës së Rusisë në Ukrainë, BE-ja sërish shqyrtoi edhe tensionet e rrezikshme së fundi mes Kosovës e Serbisë, vende këto aspirante për anëtarësim në union.
Josep Borrell, politikani spanjoll që rrezaton qetësi dhe maturi, merret me të gjitha konfliktet e mundshme në Europë dhe në botë.
Disa gjëra i ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme mund t’i arrijë, por çështje të caktuara mbeten të vështira, si lufta e Rusisë në Ukrainë.
E po aq e rëndësishme është për Borrell që të ruajë qetësinë e rendin në shtëpinë e vet në Europë.
Në mbrëmje pas një mbledhjeje të gjatë të ministrave të jashtëm të BE-së kryediplomatit i lexohej zhgënjimi në fytyrë, teksa foli për dy aspirantet e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE, Kosovën dhe Serbinë.
“Ne nuk jemi më të gatshëm ta pranojmë këtë. Kjo situatë duhet të marrë fund”, tërhoqi vëmendjen Borrell me një zë të prerë duke e përmbajtur indinjatën para mikrofonëve në sallën plenare.
Separatistë serbë të pandehur kanë sulmuar në veri të Kosovës një automjet të EULEX-it e përveç kësaj në rrugë janë parë edhe milicë të armatosur.
EULEX që prej 14 vjetësh me qindra juristë, gjyqtarë e policë përpiqet të ndërtojë shtetin ligjor në Kosovën që ka shpallur njëanshëm pavarësinë.
BE mund të dërgojë më shumë personel
Serbët në fundjavë protestuan, sepse më parë një polic serb u arrestua nga policia e Kosovës. “Këshilli i ministrave të jashtëm u kërkoi të dyja palëve, që të heqin dorë nga provokimet dhe t’i japin fund dhunës”, tha Josep Borrell.
BE do të dërgojë më shumë personel në Kosovë, nëse kjo do të jetë e nevojshme.
Diplomatët e BE-së kanë mirëkuptim për zhgënjimin e Borrell-it, sepse vetëm një javë më parë në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë në fakt u zgjidh grindja mes Serbisë dhe Kosovës lidhur me targat.
Por paqja e ndërmjetësuar nga Josep Borrell nuk mbajti gjatë.
Të hënën (12.12) i ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme prerazi bëri thirrje, që palët të kthehen sërish në tryezën e bisedimeve me ndërmjetësimin e BE-së.
27 ministrat e jashtëm të BE-së miratuan propozimin për ndërmjetësim, ende jo të publikuar me detaje, për zgjidhjen përfundimisht të çështjes së Kosovës.
Lidhur me këtë propozim i ngarkuari i posaçëm i BE-së për Kosovën do të negociojë të mërkurën (13.12) në Beograd dhe në Prishtinë.
Josep Borrell u kërkoi të dyja palëve që të japin përgjigje përpara fundit të samitit të BE-së të enjten.
Rusia reagon gjithashtu
Pas të gjitha këtyre zhvillimeve në veri të Kosovës edhe Rusia u prononcua.
Kremlini kërkoi, që të respektohen interesat e aleatëve serbë në Kosovë.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Sakarova akuzoi BE-në dhe SHBA-në si përgjegjëse për gjendjen e sigurisë.
Kjo u kujtoi ministrave të Jashtëm të BE-së, se shumë vëzhgues e konsiderojnë Serbinë si një lloj nëndetësje ruse në radhët e BE-së.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq refuzon të pranojë sanksionet e BE-së kundër Rusisë, ndonëse Serbia si vend kandidat duhet të harmonizojë politikën e jashtme me atë të BE-së./DW/
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...