Përsëritë kryediplomatja gjermane: Serbia përgjegjëse për gjendjen në veri

11:10 | 12 Dhjetor 2022
L G

Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, para takimit të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, foli para mediave edhe për situatën në Kosovë.

Krahas gjendjes në Iran e luftës në Ukrainë, ministrja Baerbock u pyet nga mediat edhe për tensionet në veri të Kosovës, raporton RTKlive.

Ajo edhe një herë përsëriti atë që e ka thënë një ditë më parë, duke sqaruar se në këtë rast, janë dy palë që po kryejnë veprime të ndyshme.

“Në njërën anë është Qeveria e Kosovës e cila ka shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve lokale atje, duke vendosur sigurinë e qytetarëve në prioritet”, tha Baerbock.

“Kemi anën tjetër, atë të serbe e cila vazhdon ta mbajë këtë gjendje”, shpjegoi ajo. “Prandaj ajo është më shumë përgjegjëse”.

Ministrja Baerbock deklaroi se nga Brukseli, i bën apel Serbisë, që të bëjë gjithçka, në mbrojtje të qytetarëve.

“Është punë e politikës që të krijojë siguri për qytetarët dhe kjo situatë është përgjegjësi e Qeverisë së Serbisë”.

Një ditë më parë, shefja e diplomacisë gjermane, Analena Baerbock, ka thënë se sugjerimi për dërgimin e forcave serbe në Kosovë është krejtësisht i papranueshëm.

“Kosova uli tensionet duke shtyrë zgjedhjet lokale. Retorika e fundit nga Serbia bëri të kundërtën. Sugjerimi për dërgimin e forcave serbe në Kosovë është krejtësisht i papranueshëm”, ka shkruar ajo në Twitter.

Sipas saj edhe sulmet e fundit ndaj misionit të EULEX-it në Kosovë janë të papranueshme. “E gjithë mbështetja ime shkon për dialogun e udhëhequr nga BE dhe Miroslav Lajcak”, ka shkruar ajo.

Të ngjashme