Google ADS

Kurti: Policia nuk është e nxitur kundër serbëve, përkundrazi ka shumë konsideratë

12:10 | 9 Dhjetor 2022
E.H

Kryeministri i vendit, Albin Kurti në seancën e sotme plenare në Kuvendin e Kosovës ka deklaruar se Policia e Kosovës nuk është e nxitur kundër serbëve, përkundrazi ka shumë konsideratë për ta.

Kurti, shtoi se policia dhe organet tjera të sigurisë asnjëherë nuk përndjekin dikë në baza etnike.

“Deputetë ju falënderojë për mbështetjen që po ua bëni për ditë e për çdo orë organeve të shtetit të Kosovës që po zbatojnë dhe respektojnë dhe me shembullin e tyre po i nxisin të tjerët që të kenë vlerësimet më të larta për kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në Republikën e Kosovës. Në veçanti për lirinë e të gjithë qytetarëve pa dallim, policia e Republikës së Kosovës dhe organet e tjera të sigurisë asnjëherë nuk përndjekin e vëzhgojnë dikë në baza etnike e fetare por veç sipas sjelljeve individuale e grupore”, deklaroi Kurti.

“Policia nuk është e nxitur e orientuar kundër serbëve, përkundrazi ka konsideratë për serbët në Kosovë pikërisht për shkak të keqinterpretimeve që mund të bëhen nga fqinji ynë verior”, u shpreh Kurti.

Kryeministri, mes tjerash, tha se përgatitja për mbajtjen e zgjedhjeve nuk janë veprime politike, por shtetërore.

“Mirëpo në të njëjtën kohe kemi obligime e përgjegjësi që dalin nga Kushtetuta, kur japin dorëheqje katër kryetarët ka përgjegjësi ligjore dhe detyra për zyrtarët e shtetit. Presidentja duhet t’i konsultojë krerët e partive politike, e të caktohet një datë bashkë me KQZ-në që i kanë zyrat edhe në veri të Ibrit, nuk janë veprime politike por vendime e veprime shtetërore që i parasheh kushtetuta e ligji që jemi në shërbim të gjithë ne”.

“Beogradi e ka kuptuar se nuk po mund t’i ndajë serbët e shqiptarët në kuptimin e situatës në Kosovë, për ditë takohen, komunikojnë e tregtojnë bashkë nuk po arrijnë ta ndajnë në serbë e shqiptarë. Tash po përpiqen ta ndajnë në serbë në veri e në jug – qëllimi i tyre është hegjemonik dhe këtë nuk po arrijnë ta bëjnë” u shpreh Kurti./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme