Policia e Kosovës: Do ta rrisim prezencën në veri

20:23 | 8 Dhjetor 2022
E.H

Pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit, Policia e Kosovës ka njoftuar se do ta rris prezencën policore atje.

Në njoftimin e policisë thuhet se ruajtja e rendit publik, garantimi i sigurisë, mbrojtja e jetës dhe pronës për të gjithë qytetarët pa dallim, janë ndër objektivat kryesore të Policisë së Kosovës.

“Në aspektin operacional policor, Policia e Kosovës ka kapacitete për menaxhimin dhe kontrollin e situatës së sigurisë dhe ruajtjen e rendit në gjithë vendin, si dhe ndërmarrjen e veprimeve për zbatimin e ligjshmërisë në vend”, thuhet në njoftim.

“Prioritet i Policisë së Kosovës është ofrimi i sigurisë për të gjithë qytetarët, andaj duke vlerësuar situatën dhe rrjedhat aktuale në komunat veriore, policia ditëve në vijim do të rris prezencën policore në veri me qëllim të arritjes së objektivave të policisë. Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë dhe analizon zhvillimet në vend, duke bërë vlerësime profesionale në bazë të të cilave ndërmerr masa të nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

Policia e Kosovës thotë se do të vazhdojë angazhimin e saj në realizimin e detyrave policore në shërbim të qytetarëve të vendit, komuniteteve pa dallim dhe ofrimin e sigurisë së përgjithshme në gjithë territorin e vendit./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme