Google ADS

Teatri Kombëtar reagon ndaj deklaratave të organizatorëve të PriFilmFest

13:39 | 3 Prill 2015
Arbresh.info

Teatri Kombëtar i Kosovës reagon në lidhje me deklaratat e organizatorëve të festivalit tashmë në ekzil, PriFilmFest, të cilët e kanë akuzuar TKK-në për moslëshimin e hapësirës për organizimin e festivalit, me ç’rast është cilësuar si një ndër fajtorët e dështimit të festivalit.
“Duam të sqarojmë se në Teatrin Kombëtar nuk ka pasur asnjë kërkesë zyrtare për shfrytëzimin e hapësirës dhe nuk ka pasur asnjë lloj rezervimi. Në datat të cilat pretendohej mbajtja e këtij festivali, teatri ka pasur të rezervuar pothuajse një vit më parë shfaqjen e një premiere. Dhe prandaj mbajtja e këtij festivali do të pengonte punën në teatër, që automatikisht do të përbënte shkelje ligjore dhe mosrespektim të vendimit të Këshillit Drejtues që ekziston qysh nga viti 2011.
Përndryshe, edhe sikur të kishte pasur kërkesë zyrtare, nuk do të kishte qenë i ligjshëm dhe i justifikueshëm lëshimi i hapësirave të teatrit për tetë apo dhjetë ditë për një eveniment të jashtëm (sado të rëndësishëm)”, thuhet në reagimin e TKK-së.
Në kumtesë gjithashtu thuhet se Këshilli Drejtues i TKK-së ka marrë vendim që të ndalohen të gjitha evenimentet jo-kulturore që mund të pengojnë punën në teatër (shfaqje, prova), si dhe ato kulturore që bien ndesh me agjendën dhe planifikimet e menaxhmentit dhe se të tilla refuzime si kjo ndaj PriFest-it janë bërë edhe ndaj organizimeve tjera, në përputhje me ligjin dhe vendimet.
“Ky vendim i lartpërmendur nuk është marrë për të penalizuar e bllokuar aktivitetet e institucione të veçanta dhe as nuk është vendim i ndikuar nga MKRS, siç është pohuar nga prononcimet e organizatorëve të PriFilmFest”, thuhet në reagim.
TKK deklaron se është institucion publik i pavarur dhe se çdo tentim nga organizatat nga jashtë që të ndikojnë në çfarëdo mënyre në punën e Teatrit Kombëtar, është sulm ndaj kësaj pavarësie. Përkundër kësaj, drejtuesit e Teatrit theksojnë se janë të vetëdijshëm për mungesën e hapësirave për ngjarje të tilla, mirëpo që nuk do të mund të japin në shfrytëzim hapësirat e veta në rast se pengohet ose dëmtohet në çfarëdo mënyre aktiviteti i TKK-së.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme