Burbuqe Hana përzgjedhet Kryeshefe e Telekomit të Kosovës

20:51 | 7 Dhjetor 2022
E.H

Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës me vendim unanim sot kanë përzgjedhur, Burbuqe Hana në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, me mandat tre vjeçar.

Sipas një njoftimi nga Vala, vendimi hyn në fuqi menjëherë.

“Me datën 23 dhe 24 nëntor 2022, Komisioni Vlerësues në bashkëpunim me Partnerin zbatues për monitorim, për pozitën Kryeshef Ekzekutiv, në mesin e 18 aplikacioneve të pranuara, pas shqyrtimit dhe vlerësimit të dosjeve/aplikacioneve ka përzgjedhur në listën e ngushtë për intervistim pesë kandidatë”, thuhet në njoftim.

“Me datën 05 dhe 06 dhjetor 2022, Komisioni Vlerësues në bashkëpunim me Partnerin zbatues për monitorim të procesit të përzgjedhjes ka intervistuar kandidatët e përzgjedhur në listën e ngushtë për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të TK Sh.A”.

Burbuqe Hana është vlerësuar me më së shumti pikë nga Komisioni Vlerësues.

Bordi i Drejtorëve i TK Sh.A. konstaton që i gjithë procesi i rekrutimit për pozitën e punës Kryeshef Ekzekutiv ka qenë transparent, i rregullt dhe në bazë të Ligjit, Kodit të Etikës dhe Qeverisjes Korporative.

Komisioni Vlerësues rekomandon të rishpallet konkursi për ZKFTH

Ndërsa për pozitën Zyrtar Kryesor i Financave dhe Thesarit, kanë aplikuar gjashtë kandidatë.

“Pas shqyrtimit dhe vlerësimit të dosjeve/aplikacioneve, Komisioni Vlerësues ka konstatuar që nuk ka numër të mjaftueshëm të kandidatëve që i plotësojnë kushtet e përcaktuara me konkurs për ZKFTH, konform legjislacionit në fuqi. Duke u bazuar në këtë vlerësim, Komisioni Vlerësues rekomandon që të rishpallet konkursi për ZKFTH”, thuhet në fund të njoftimit. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme