Google ADS

Rama: BE duhet të mendojë për konvergjencën financiare

20:04 | 7 Dhjetor 2022
E.H

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot nga Brukseli se Bashkimi Europian duhet të japë më shumë mbështetje për Ballkanin Perëndimor.

Diskutimi rreth Samitit historik BE-Ballkani Perëndimor, i mbajtur për herë të parë në Tiranë, – vijoi sot në Bruksel, ku Kryeministri Rama, ishte i ftuar në një sesion të posaçëm, së bashku me presidentin e Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski dhe kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazović.

Gjatë fjalës së tij në këtë sesion, Kryeministri Rama vuri theksin dhe tek konvergjenca financiare për të cilën tha që BE-ja duhet të mendojë të bëjë më shumë në këtë aspekt për sa i përket Ballkanit Perëndimor.

Ai solli në vëmendje se dje BE vendosi të përfshijë universitetet e rajonit në aleancën e universiteteve të BE.

“Kjo është e jashtëzakonshme, pasi për ta bërë këtë zakonisht duhet të jesh anëtar. Ne nuk jemi, jemi larg të qenit anëtar, por tashmë jemi pjesë e kësaj aleance, çka nënkupton që të rinjtë e vendeve tona janë në pozita për të studiuar pa u larguar nga vendi përmes teknologjisë, në çdo universitet dhe universitetet tona janë tashmë në pozitën për të lidhur aleanca që të sjellin më shumë projekte, më shumë mbështetje e kështu me radhë. Kaq për të rinjtë”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se “është shumë e rëndësishme që të mos lihemi pa mundësi për t’u përfshirë më tepër nga hapësirat ku mund të marrim më shumë mbështetje”.

“Ne morëm mbështetje buxhetore për energjinë nga Bashkimi Europian. 85 milionë euro për Shqipërinë, është shkëlqyer, por nuk është kaq shkëlqyer, kur sheh se këto 85 milionë euro janë marrë nga fondet tona IPA. Pra fondet IPA janë për projektet tona, sigurisht do donim shumë t’i përdornim për energjinë, e shkëlqyer, por kur shoh dhe dje pata një bashkëbisedim me Mitsotakis, 85 miliardë plus të ardhurat e brendshme nga aktiviteti i Greqisë që vijnë nga BE është e madhe, 85 miliardë. Po patjetër kur ke 85 miliardë plus pavarësisht nga ajo çfarë krijon brenda sistemit është natyrisht, merr frymë”, nënvizoi Kryeministri.

Rama deklaroi se “Bashkimi Europian duhet të mendojë për konvergjencën financiare. Nuk do të shkojë në mënyrën si mund ta mendojë dikush, që dikur kur të vijë koha do të kemi të njëjtën gjë. Jo, kurrë. Është gabim, nuk do të shkojë në konvergjencë, por duke u larguar, ata do bëhen më të pasur dhe ne nuk do mund t’i ndjekim, duhet ta mendojmë këtë gjë. Pra duhet të japin më shumë burime, të na japin më shumë kapacitete. Nuk po flasim për 85 miliardë, flasim sigurisht për mbështetje që është vërtetë e rëndësishme”, shtoi Rama./rtk/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme